Qytetarët nga e mbarë bota, përkatësisht nga të gjitha shtetet anembanë globit, përfshirë edhe Kosovën, do të mund të udhëtojnë pa viza për në Kenia.
Kjo është e ditur nga presidenti i këtij vendi William Ruto, i cili njoftoi se nga janari të gjithë që kanë dëshirë ta vizitojnë këtë vend nuk do të kenë nevojë për viza, transmeton Telegrafi.
Ruto dhe qeveria e tij kanë zhvilluar një platformë digjitale për t’u siguruar që të gjithë vizitorët do të kenë autorizim elektronik në vend se të kenë nevojë për aplikim të vizës.
“Më nuk do të ketë nevojë asnjë person nga cilido vend i botës të aplikojë për vizë që të vijë në Kenia”, tha ai në një fjalim që e mbajti në Nairobi, ku është shënuar 60-vjetori i pavarësisë nga Britania e Madhe.
Ruto prej kohësh ka avokuar për udhëtim pa viza në kontinentin afrikan. Në një konferencë të mbajtur në tetor në Kongo, ai tha se vendet afrikane nuk do të duhej të kërkonin viza për ta vizituar Keninë nga viti i ardhshëm.
Industria e turizmit luan rol jetësor në ekonominë e Kenias, duke ofruar plazhe të bukura për pushime përgjatë brigjeve të Oqeanit Indian.