Keni frikë nga të vdekurit? Ja çfarë thotë psikologjia!

E publikuar: 14/08/2015 17:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

GAZETAEXPRESS E premte, 14 Gusht 2015 09:30 ​A ju ka ndodhur që pas vdekjes së ndonjë personi të afërm të keni frikë nga ai apo ajo? Dy shpjegime interesante për frikën tonë prej të vdekurve janë dhënë nga psikanalisti Sigmund Frojd dhe filozofi Edvard Westermarck.
1. Sipas Frojdit, ne kemi ndjenja ambivalente për njerëzit. Pra edhe i duam, por në njëfarë mënyrë edhe i xhelozojmë ata.

Mirëpo, pas vdekjes së ndonjë personi të caktuar, ne sillemi sikur asnjëherë nuk kemi pasur ndjenja negative ndaj atij personi.

Ne pikëllohemi e mbajmë zi, dhe i shtypim në pavetëdije të gjitha momentet negative që kemi pasur me at person. Pra ne e mohojmë totalisht pjesën tonë të ndjenjave negative karshi tij.

Por, duke qenë që mendimet dhe ndjenjat e shtypura gjejnë një formë tjetër të realizimit të tyre, natyrisht më patologjike, në atë moment në psikiken tonë aktivizohet mekanizmi i mbrojtës i projeksionit.

Me anë të projeksionit, ne ndjenjat dhe mendimet tona të ndrydhura ia mveshim tjetrit.

Ne këtë rast, frikësohemi se i vdekuri ka mendime dhe ndjenja negative për ne.

Dhe, duke qenë se ai është i vdekur, frikësohemi se do të shndërrohet në demon dhe do të hakmerret ndaj nesh.

Këtë e tregon edhe fakti se pse frikësohemi më shumë nga i vdekuri i afërm, me të cilin kemi pasur relacione, dhe jo nga ndonjë i largët që nuk e kemi njohur.

2. Sipas Westermarck, duke qenë që vdekja konsiderohet si fatkeqësia më e madhe që mund t’i bjerë njeriut, mendohet që të vdekurit janë jashtëzakonisht të pakënaqur me fatin e vet.

Prandaj shpirti i të vdekurit konsiderohet si shpirt i zemëruar që ka etje për hakmarrje.

Pra mendohet se ai ka zili të gjallët dhe ka mall për shoqërinë e farefisin e mëparshëm, prandaj edhe përpiqet që t’i vdes ata dhe të bashkohet me ta.