Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës, ka bërë me dije se ka organizuar peticion për të kundërshtuar polisën e sigurimit të automjeteve për emigrantë.
Avni Binaku, nënkryetar/zëdhënës i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, ka thënë se edhe pse është debatuar, Byroja Kosovare e Sigurimeve dështoi ta aprovojë propozimin e uljes për 50 për qind të tarifës së sigurimit kufitar për bashkatdhetarët.
“Pra, do vazhdojë pagesa e plotë për mërgimtarët. Do të thotë së paku 14 milionë euro në vit”, ka thënë Binaku.
Ai në një komunikatë për media ka listuar ankesat rreth kësaj çështje duke thënë se mjaftë më kanë paguar mërgimtarët, “mjaftë më është detyruar diaspora në mënyrë të padrejtë dhe diskriminuese të paguajë ketë polisë të sigurimeve të automjeteve”.
“Mjaftë më kompanive të sigurimeve dhe Byrosë së Sigurimeve për shfrytëzimin e diasporës, pa asnjë kompensim!, mjaftë më Qeverisë, Parlamentit, Komisionit për Buxhet dhe Bankës Qendrore të Kosovës, që nga kjo pagesë e padrejtë luajnë me ndjenjat e mërgimtarëve, mjaftë më shfrytëzimit të diasporës, mjaftë më që diaspora të ndjejë vetën në Kosovë, si në vend të huaj.
Nëse e përkrahni këtë peticion, nënshkruani, shpërndani! Sa më shumë që e nënshkruajmë, aq më shumë do të ketë peshë”, thuhet në njoftim.
Rikujtojmë se ditë më parë Byroja Kosova e Sigurimeve kishte dalë me një propozim kohë më parë që të ulen polisat e sigurimit të automjeteve për mërgimtarë për 50 për qind, mirëpo, në takimin e tyre të fundit kanë dështuar që të bien dakord për këtë çështje.