Kënd e ka SHEF të vërtetë Ismet Beqiri?! Isa Mustafën apo…

E publikuar: 16/08/2015 20:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri duket se ndryshe po deklaron e ndryshe po vepron.

Pas reagimit të shefit të deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci se disa ministra të LDK-së po bëjnë shkelje ligjore duke larguar njerëz profesionistë, e duke i zëvendësuar ata me njerëz partiak, kishte reaguar Ismet Beqiri.

Ai në një deklaratë që e ka dhënë për medie para dy ditësh ka theksuar se nuk është Adem Grabovci, ai i cili bën vlerësimin e punës së ministrave. Sipas tij, është kryeministri i vendit, Isa Mustafa ai i cili e ka këtë përgjegjësi.

Mirëpo, Beqiri për dallim nga deklaratat politike, në realitet ka vepruar ndryshe, raporton Gazeta Blic.
Shefi i deputetëve të PDK-së, gjatë javës që po e lëmë pas, pikërisht për këtë arsye i është “vizatuar” për pak minuta Adem Grabovcit, duke treguar se kënd realisht e ka më shef.

Gazeta Blic ka raportuar se pas vendimit të ministrit Avdullah Hoti, që t’i largoj disa njerëz të PDK-së nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe zëvendësimin e tyre me ata të LDK-së, si dhe “prekjen” e disa bizneseve të njerëzve të fortë të partisë së Hashim Thaçit, ishte Adem Grabovci, ai i cili fillimisht kërkoi llogari nga Ismet Beqiri përmes telefonit, dhe pastaj edhe “live”.

Siç edhe ka raportuar Gazeta Blic, Grabovci ia ka bërë shumë të qartë Ismet Beqirit, që nëse LDK do të vazhdoj me këtë trend, atëherë ka gjasa që shumë shpejt ta qesin në Kuvend votëbesimin e Qeverisë Mustafa.

“Në një moment Grabovci i ka thënë Beqirit se ti e di që një pjesë të madhe të deputetëve të LDK-së, i kontrollon PDK”, i ka thënë Gazetës Blic një burim i afërt me PDK-në.
Takimin e zhvilluar të mërkurën e kaluar me Ismet Beqirin e ka konfirmuar për Gazetën Blic, vetë Grabovci, megjithëse nuk ka dhënë detaje për gjuhën e komunikimit të tyre.

Ai i ka thënë Gazetës Blic se ministrat e LDK-së kanë bërë shkelje të ligjit, duke theksuar se janë në pritje që këto vendime të korrigjohen nga partneri i koalicionit.

Pas këtij rebelimi të PDK-së, doli lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili përmes një deklarate u mundua që t’i qetësoj “gjakrat”. Madje, ai dha garancione se lideri i PDK-së, Hashim Thaçi do të jetë president i vendit më 2016.

PDK e LDK hyn në bashkëqeverisje në fund të vitit të kaluar, pas 5 muajsh krize politike, ku asnjëra nga partitë deri në atë kohë në opozitë nuk pranuan të hyjnë në bashkëqeverisje me PDK-në. / Gazeta Blic