Kelmendi takohet me ekspertë të Programit për Çështje të Brendshme të BE-së, në fokus trajtimi i veprave penale kundër mjedisit

E publikuar: 27/05/2024 16:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajtimi i rasteve që kanë të bëjnë me veprat penale kundër mjedisit, ka qenë temë kryesore në takimin që Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka zhvilluar me ekspertë të Programit për Çështje të Brendshme të Bashkimit Evropian në Kosovë (HAPE), Mario Pellegrino, Eric Stephan dhe Massimiliani Moro, rpaorton Ekonomia Online.

“Temë e diskutimeve të përbashkëta gjatë këtij takimi ishte Kapitulli XXVII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që ka të bëjë me veprat penale kundër mjedisit, duke përfshirë, rezultatet, sfidat dhe nevojat e Prokurorit të Shtetit për trajtimin sa më profesional të këtyre rasteve, si dhe mundësitë e bashkëpunimit më partnerët ndërkombëtar për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë më mbrojtjen e mjedisit”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeprokurorit të shtetit.

Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të takimeve dhe punëtorive të përbashkëta me prokurorët – koordinatorë për veprat penale kundër mjedisit.

Ndërsa, në fund të takimit, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka falënderuar ekspertët e HAPE-së për ofrimin e mbështetjes për prokurorët e shtetit dhe shprehu angazhimin institucional në luftimin e veprave penale kundër mjedisit.