Kelmendi pas djegies së depos së ELKOS-it: Hyra që ta fikja zjarrin, gati pësova edhe vetë

E publikuar: 25/03/2023 11:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një zjarr i madh ka kapluar sot depon qendrore të kompanisë Elkos e cila është në pronësi të biznesmenit Ramiz Kelmendi. Dëmet llogariten të jenë të mëdha. E nga zjarri thotë se ka mundur të pësoj edhe vet afaristi Kelmendi. Ai ka shpjeguar se si hyri në depo për ta shuar zjarrin, e që gati e pësoi edhe vet. E lëndime nga zjarri kanë marrë tetë persona.

“Unë edhe vet hyna me intervenu, gati mbeta brenda. Kur e pash gjendjen, hyra me intervenu me aparatat me ato gjanat, por veçse ishte e kote. Depoja- magazina është 200 mijë metra katrorë. Më e madhja në Kosovë e në regjion. Në momentin kur zjarri ka kapluar depon, nuk ka qenë askush,”- ka thënë Kelmendi.

Tutje ai ka treguar se në momentin kur depo është kapluar nga zjarri, brenda nuk ka qenë askush.

“Ende nuk po e dimë shkaktarin. Këta personat që janë lëndu kanë qenë prej objekteve tjera që kanë hy me e ndalë zjarrin, që kanë tentu me vepru,”- ka thënë Kelmendi për Nacionalen.

E nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës thanë se në vendngjarje ka dalë policia e zjarrfikësit.

“Një depo prapa kompanisë së ELKOS-it është përfshirë nga zjarri, mirëpo ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar. Në vend ngjarje kanë dalë policia dhe zjarrfikësit. Ende asgjë nuk dimë nëse ka persona të lënduar”, ka thënë zëdhënësi i policisë Fadil Gashi.

Tutje nga Spitali i Pejës kanë njoftuar se si pasojë e zjarrit në depon e ELKOS-it për momentin janë duke u trajtuar tetë pacientë.

Sipas njoftimit, pacientët janë jashtë rrezikut për jetë.

“Në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë deri më tani janë duke u trajtuar 8 pacientë nga rasti i djegies së një objekti në Pejë. Pacientët janë duke u trajtuar tek Spitali ynë dhe gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë dhe janë raste kryesisht të helmuar nga tymi.”

E drejtori i emergjencës së Spitalit të Pejës, Besnik Ibraj, ka shpjeguar se për momentin katër persona po trajtohen në Emergjencën e këtij spitali pas helmimit nga monoksidi i karbonit si pasojë e zjarrit të madh.

Ndërkohë sipas tij, një person është shtruar në kujdesin intensiv të këtij spitali e një tjetër poashtu po trajtohet në klinikë.

“Pacientët janë në gjendje stabile. Gjashtë persona për momentin po i trajtojmë në Emergjencë. Një e kemi nën kujdesin intensiv,”- tha doktor Ibraj.

Ai tha se gjendja e tyre për momentin është stabile.