Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, i cili ka braktisur Partinë e Drejtësisë dhe para një muaji ka formuar partinë e tij “Fjala”, flet për zhvillimet e fundit në lidhje me terrorizmin, të cilat kanë ndodhur pikërisht gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Ai foli edhe për gratë, homoseksualizmin, ISIS-in, BIK-un dhe anëtarin më të ri të partisë së tij, Gold AG.
“Ka pas një rritje dukshëm të madhe të praktikuesve të këtij obligimi, konkretisht po flas për agjërimin, dhe padyshim, solidarizim më të madh brenda vetë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ai, shkruan kallxo.com
Por arrestimi i disa praktikantëve myslimanë në Badovc, ishte surprizë për të.
“Edhe unë jam informuar përmes mediave. Në fillim lajmi ka qenë shumë bombastik, por unë nuk guxoj të ndërhyj si deputet i Kuvendit të Kosovës në punë të prokurorisë dhe hetuesisë”
“Me shkuarjen e rinisë kosovare në luftën atje, ku është përmendur konkretisht në Siri, padyshim që rritet edhe mundësia për çfarëdolloj infiltrimi”, tha Kelmendi.
Por, rrezik potencial janë ata që kthehen.
“Edhe ata djem që kanë shku në një luftë të tillë, padyshim që nëse kthehen në Kosovë mund të paraqesin rrezik për faktin që anëtarësimi i tyre në atë organizatë të tillë, e cila është e shpallur botërisht si organizatë terroriste dhe kundër vetë qenies njerëzore”, vërejti ai.
“Duhet të mobilizohemi, të angazhohemi për t’i marrë të gjitha masat preventive në mënyrë që mos të veprojmë mbi pasoja, po të merremi me shkaqe”.
Për ekstremizmin ai ia lë “fajin” internetit.
“Në parim mënyrat e frymëzimit janë shumë të thjeshta dhe shumë të lehta përmes teknologjisë informative, kryesisht internetit dhe YouTube”.
Por ai shprehet se imamët nuk kanë gisht në frymëzimin e të rinjve për të luftuar në Siri.
“Përkundrazi, të gjithë imamët, për aq sa unë jam i informuar kanë bërë thirrje të mos shkohet atje”.
Gjithashtu ai thotë që BIK-u ka kryer mirë punën e tij.
Ndërsa kur bie fjala për partinë e sapoformuar, Kelmendi thotë se nuk ka kritere konkrete për anëtarësim të njerëzve që duan t’i bashkohen atij. Së fundmi kësaj partie i është bashkuar reperi Arian Agushi, i njohur si Gold Ag.
“Nëse flasim për Arian Agushin, ai është një artist i muzikës kosovare, apo mbarëshqiptare le të themi, dhe në tekstet e tij nuk kam vrejt doza të ekstremizmit, urrejtjes apo mostolerancës. Ai e ka paraqit një realitet në Kosovë dhe gjuhën të cilën e ka përdorë ai është e njëjtë me gjuhën e cila përdoret këtu afër meje në kuvendin e Kosovës”, tha Kelmendi.
Ai tha se deputetët thërrasin më shumë se reperi për urrejtje.
“Ki deputet të Kuvendit të Kosovës që flasin ndoshta me gjuhë edhe më të ulët se Gold-i, të cilët nxisin urrejtje më shumë se Gold-i dhe që përdorin mos-tolerancë qoftë brenda identitetit fetar apo identitetit kombëtar. Prandaj ka gjëra ma tragjike në kuvend se sa që i artikulon Gold-i përmes teksteve të tij”.
Shamia (mbulesa) ishte arsyeja që e ndau atë nga Ferid Agani, por ai shprehet që nuk do të thirret në emër të shamisë për të marrë vota.
“Çështja e mbulesës apo shamisë do të rregullohet si është e rregullume në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Në asnjë moment ne nuk do të bëjmë fushatë për çështjen e shamisë”.
“Jo nuk do të thirremi në emër të shamisë për të marrë vota”
Por, sa i përket komunitetit LGBT, ai shprehet më konservator.
“Ne nuk pajtohemi për një martesë të gjinisë së njëjtë, për faktin që me martesën e gjinisë së njëjtë nuk ruhet familja. Ne jemi për familje kosovare, për rritje të natalitetit dhe nëse e mbrojmë martesën e gjinisë së njëjtë, ne e sulmojmë familjen kosovare, po i ndihmojmë shuarjes së familjes kosovare”.
Ndërkohë, deputeti Kelmendi është i shqetësuar edhe për rënien e natalitetit në Kosovë.
“E kemi parapa që njëherë e përgjithmonë për me ju rikthy dinjiteti gruas kosovare, me u respektu gjinia femërore, pavarësisht statusit të saj, e martuar apo e pamartuar. Kemi propozuar një program të punës, ku femra kosovare të punojë vetëm pesë orë dhe të marrë pagën sa e merr mashkulli për tetë orë”.
Ngase sipas tij, shkurtimi i pushimit të lehonisë ka ndihmuar në rënien e natalitetit dhe me këtë “privilegj” për femrat, ato do të kenë më shumë kohë të merren me familjen.
I pyetur nëse e shesh diskriminuese që femrat të kenë orar pune më të shkurtër se burrat, Kelmendi u përgjigj: “Diskriminuese për mashkullin, për femnën është privilegjuese”.
Në fund ai uron qytetarët. “Shfrytëzoj rastin në emrin e partisë “Fjala” dhe në emrin tim si deputet të gjithë qytetarëve të besimit islam t’u urojmë festën e Fiter Bajramit, duke u dëshiruar solidaritet, fisnikëri, mbështetje dhe vëllazërim sa më të mirë”, uroi Kelmendi. /KALLXO.com/