Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një prononcim për media, ka mohuar deklaratat e ish-liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, se është liruar nga Policia për shkak të reagimit të aktivistëve të Vetëvendosjes para objektit të Policisë, por se, sipas tij, ai është liruar me rekomandimin e prokurorit të rastit pasi është marrë në pyetje.
Zëdhënësi Kelani sqaroi gjithashtu se arrestimi i Kurtit ka ardhur pas urdhrit të prokurorit për ta marr në pyetje.
Në vijim, ai bëri me dije se, në bazë të raporteve mjekësore, nga aksioni i mbrëmshëm i opozitës, të lënduar kanë mbetur 15 policë dhe 1 qytetar, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore, transmeton Koha.net.
Zyrtari policor theksoi se dëmet e shkaktuara nga protestuesit ndaj objektit të Policisë dhe veturave zyrtare janë të mëdha, duke mos potencuar vlerën e saktë të këtij dëmi.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, potencoi se qytetarët nuk kanë pse të ndihen të rrezikuar nga situata të tilla, sikurse ajo e mbrëmshmja, pasi që, sipas tij, “policia nuk ka dashur të ndërhyjë më shumë vetëm e vetëm të mos përshkallëzohet situata”.