KEK Korporata Energjetike e Kosovës
Në vazhdën e masave dhe aktiviteteve për zvogëlimin e ndikimit në mjedis të TC Kosova B-së, Korporatës Energjetike të Kosovës i është ofruar edhe një mundësi e mirë si përfitues i projektit për ndërtimin e 5 impianteve për trajtimin e të gjitha ujërave të shkarkuara industriale dhe atmosferike, projekt ky që ka një kosto prej rreth 9 milionë euro.
“Duke falënderuar Bashkimin Evropian përmes Zyrës së saj në Prishtinë, në zonën tokësore të TC-B-së do të ndërtohen gjithsej 5 impiante për trajtimin e të gjitha ujërave teknologjike apo industriale siç i quajmë, duke mos lënë anash edhe ujërat e zeza dhe ato atmosferike”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.
Ai ka treguar se cilat përfitime do t’i ketë KEK-u nga realizimi i këtij projekti.
“Me realizimin e këtij projekti pritet që të arrihen standardet evropiane mjedisore sa i përket lejimit të parametrave kimik dhe biologjik të ujërave të shkarkuara. Për më tepër, me këtë projekt synohet gjithashtu që trajtimi i këtyre ujërave të ripërdoret në ciklin e prodhimit, si në ftohjen e pajisjeve gjithashtu edhe në transportin hidraulik të hirit, me c’rast Korporata Energjetike e Kosovës do të kursej ujin nga Ujmani në vlerën deri në 15% në vit”, ka thënë Bucolli.
Me këtë pjese të projektit të përfunduar disa javë më parë, u përmbush faza e hartimit të dokumentacionit teknik dhe komercial për shpalljen e tenderit, nga ana e Zyrës së BE në Prishtinë.
Korporata Energjetike e Kosovës do të vazhdoj edhe në të ardhmen me investime, përmes të cilave do të mundësohet ruajtja e ambientit dhe punës më të mirë të stabilimenteve energjetike.