KEDS-i bën thirrje për kursim të rrymës, paralajmëron dimër “shumë të pasigurt”

E publikuar: 27/07/2022 14:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) u ka bërë thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë e të orientojnë ngrohjen e hapësirave të banimit nga format alternative për dimrin, duke paralajmëruar situatë “shumë të pasigurt”.

Në një njoftim për media të mërkurën, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se kriza energjetike evropiane ka prekur edhe Kosovën. Ai ka thënë se rritja e kërkesës në njërën anë dhe zvogëlimi i prodhimit në anën tjetër, ka bërë që në gjithë Evropën të fluturojnë çmimet e rrymës”.

“Çmimi i energjisë për një ditë më herët në berzën e Hungarisë- HUPX, që ishte 295 EUR/MWh, për javën 4-10 korrik, u rrit në 348 EUR/MWh, kurse për javën 11-17 korrik dhe në 419 EUR/MWh për javën 18-24 korrik . Për 3 ditët e para të kësaj jave çmimi është 506 EUR/MWh. Madje, këto ditë është thyer edhe rekordi, duke arritur një moment në mbi 735 EUR/MWh. Kjo situatë ka afektuar edhe Kosovën. Pos çmimeve enorme, nevoja për energji elektrike ka kufizuar ndjeshëm edhe mundësitë tregtare. Në tenderët që kemi zhvilluar së fundmi, në shumicën e rasteve nuk kemi pranuar asnjë ofertë. Në rast oferte shfaqen çmime ekstra të larta sipas kushteve të tregut”, thuhet në reagim të KEDS-it.

“Krijimi i këtyre situatave qysh verës, bën që të mbizotërojë një situatë shumë e pasigurt”, ka deklaruar KEDS-i.

“Prandaj, në këto rrethana i lusim konsumatorët që të krijojnë mekanizma kursimi dhe të orientojnë ngrohjen e hapësirave të tyre të banimit nga format alternative për stinën e dimrit. Ndërmarrja e këtyre veprimeve ul ndjeshëm nevojën për import dhe rrit të njëjtën kohë sigurinë e furnizimit, që varet shumë edhe nga stabiliteti i prodhimit vendor”, thuhet më tej në reagim.

Kriza energjetike ka prekur botën që nga dimri që përfundoi. Çmimet u shumëfishuan edhe si pasojë e luftës në Ukrainë. Kosova gjatë dimrit importoi me çmim më të lartë se zakonisht, ndërsa si pasojë u shtrenjtuan edhe tarifat. KESCO ditë më parë kërkoi shqyrtim të ri të jashtëzakonshëm të tarifave duke e arsyetuar me mossubvencionim të tarifave nga ana e Qeverisë, edhe pse ajo ka ndarë mbi 100 milionë euro.

Aktualisht Kosova pjesën më të madhe e mbulon nga prodhimi vendor, ku KEK-u është duke prodhuar 515 megavate. Në këtë ndërmarrje kanë thënë se gjatë sezonit dimëror planifikohet që të prodhohen rreth 780 megavate energji elektrike dhe 140 megavate energji termike, e cila shërben për ngrohje.

Kjo kompani bazuar në marrëveshjen me Shqipërinë, të gjitha tepricat e energjisë është duke ia ofruar Korporatës së Energjisë së Shqipërisë dhe deri tani janë deponuar rreth 90 mijë megavate. Ky deponim pritet që t’i kthehet Kosovës gjatë sezonit të dimrit, kur ka më tepër nevojë për energji e piku i shpenzimit është dukshëm më i lartë, në mbi 1300 megavate.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!