![](https://infosot.com/wp-content/uploads/2016/11/komisioni-2-780x439-e1481404580521.jpg)
Komisioni Evropian rithekson vlerësimet e përparimeve të Kosovës në procesin e themelimit të Gjykatës së Posaçme për krime lufte dhe i bën thirrje asaj të përmbushë kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.
Vlerësimet janë pjesë e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, i cili matë përparimin e këtyre vendeve drejt integrimeve evropiane dhe përcakton detyrimet për të përmbushur kriteret për këto integrime.
Në pjesën për Kosovën, Komisioni Evropian mirëpret hyrjen ne fuqi të Marrëveshjes ë Stabilizim Asociimit në muajin prill të këtij viti, që sipas tij. siguron kuadrin gjithëpërfshirës për marrëdhënie më të ngushta ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, shkruan zeriamerikes.com.
Në raportin e Komisionit u bëhet thirrje “aktorëve politikë që të gjejnë rrugën për tejkalimin e bllokadës së zgjatur politike dhe të hapin rrugën për reformat në veçanti për sa i përket sundimit të ligjit dhe nevojës për reforma strukturore ekonomike që trajtojnë shkallën e lartë të papunësisë”.
Komisioni përfundon se Kosova ka përmbushur detyrimet ndërkombëtare për ngritjen e Gjykatës së Posaçme “për hetimin e pretendimeve për krime në kontekstin e konfliktit në vend”. Mandati i Misionit të BE-së për sundimin e ligjit është zgjatur deri në qershor të vitit 2018. Kosova duhet të thellojë angazhimet në bisedimet me Serbinë përfshirë edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, thuhet mes tjerash në përfundimet e raportit të Komisionit Evropian.
Po kjo kërkesë i është shtruar edhe Serbisë në raportin e Komisionit në të cilin thuhet se prej kësaj varet hapja e kapitujve të tjerë në negociatat për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian.