KDI: Sipas perceptimit korrupsioni në drejtësi më i ulët se ai i përgjithshmi

E publikuar: 15/11/2017 15:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Organizata joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK), sot publikuan raportin “Iniciativa për Integritet në Sistemin e Drejtësisë”, e realizuar përmes programit “Kërko Drejtësi” i cili zbatohet nga Qendra Nacionale për Gjykatat Shtetërore (NCSC).

Arben Kelmendi, hulumtues në KDI në një konferencë për media shpalosi rezultatet e këtij studimi që ka për qëllim identifikimin e sjelljeve kryesisht korruptive në institucionet e drejtësisë në Kosovë, respektivisht në polici, prokurori, gjykatë dhe në sistemin e avokatisë.

Kelmendi bëri të ditur se mostër e këtij raporti janë marrë 1.050 zyrtarë të sistemit të drejtësisë në Kosovë, në mesin e të cilëve ndodhen edhe gjykatësit, personeli i gjykatave, avokatët dhe prokurorët.

Ai njoftoi se sipas rezultateve të raportit, perceptimi i përgjithshëm i nivelit të korrupsionit në sistemin e drejtësisë është më i ulët (58.5 për qind e respondentëve) në krahasim me nivelin e përgjithshëm të korrupsionit në Kosovë (79.4 për qind të respondentëve).

Kelmendi thekson se sipas rezultateve të studimit, favorizimi/nepotizmi me 52.9 për qind dhe ndërhyrja politike me 50.4 për qind janë dy format më të zakonshme të sjelljes së korruptuar në sistemin e drejtësisë.

Dy qëllimet më të synuara përmes sjelljes korruptive, Kelmendi bëri të ditur se janë përzgjedhja e një gjykatësi apo prokurori të preferuar për të vendosur rreth një rasti apo veprimi ligjor (54.9 për qind) dhe marrja e aktgjykimit të preferuar (53.3 për qind).

Në lidhje me fazat e procesit gjyqësor, sipas raportit respondentët perceptojnë të cenueshëm ndaj korrupsionit çdo fazë të procedimeve. Akti final (shqiptimi i dënimit) perceptohet si më i ndjeshëm ndaj korrupsionit (16.9 për qind), pasuar nga caktimi i prokurorit (15 për qind) dhe caktimi I gjyqtarit për rastin (14.8 për qind).

Kryetari i Odës së Avokatëve, Osman Havolli gjatë fjalimit të tij në konferencë tha se ky është rasti i parë që përmes tre hallkave, KDI, OAK dhe NSCS po aplikohet një sistem i tillë i vetëdeklarimit të aktorëve se si e përceptojnë punën në polici, prokurori, gjykatë dhe në avokati.

“Në këtë mënyrë, me dhënien e përgjigjeve dhe informacioneve të sakta, me deklarimet tona i kontribuojmë eliminimit të dukurive korruptive dhe i ndihmojmë sistemit të drejtësisë në Kosovë”, tha Havolli.