KDI kërkoi nga Qeveria e Kosovës që sa më parë të intensifikojë përpjekjet për arritjen e konsensusit sa më të gjerë në mes të spektrit politik, lidhur me të gjitha çështjet e ndërlidhura me dialogun për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
“Ne vlerësojmë që kjo çështje duhet të trajtohet përtej kalkulimeve politike ditore, andaj, si partitë në pushtet edhe ato në opozitë duhet të tregojnë përkushtim dhe konstruktivitet për të tejkaluar pengesat në arritjen e pajtueshmërisë politike rreth procesit, para takimit të paralajmëruar në Uashington. Çdo vonesë në këtë drejtim rrezikon të dëmtojë pozitën e Kosovës në bisedime, si dhe marrëdhëniet e saj me partnerët ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e KDI.
Për një proces të interesit të lartë shtetëror dhe qytetar, që ka për synim përmbylljen e çështjeve të hapura, duke garantuar perspektivën evropiane dhe zhvillimin ekonomik të të dyja shteteve, ndërtimi i një konsensusi sa më të gjerë politik mbetet qenësor për Kosovën.
Sipas KDI, spektri politik duhet të shfrytëzojë gjithashtu vëmendjen e shtuar ndërkombëtare ndaj dialogut, në interes të shtetit të Kosovës, duke ndërtuar qasje konsensuale, e cila është e domosdoshme për përfaqësimin dhe shtyrjen përpara të kërkesave dhe pritshmërive të Kosovës karshi këtij procesi.