KDI: Kosova e zhytur në korrupsion

E publikuar: 09/12/2015 14:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova është e zhytur thellë në korrupsion dhe nuk ka indikacione që institucionet kompetente po ndërmarrin masa për të luftuar këtë dukuri negative.

Kështu thanë sot përfaqësuesit e Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, gjatë një aktiviteti simbolik të organizuar në Prishtinë.

Artan Canhasi nga kjo organizatë, tha para gazetarëve, se viti 2015 mund të thuhet se ishte vit i humbur në luftën kundër korrupsionit.

“Kemi probleme shumë të mëdha më rastin e portretizimit të rasteve të korrupsionit. Kemi ndërhyrje politike të ndryshme dhe nuk kemi ndonjë adresim të qartë nga qeveria dhe nga organet tjera vendimmarrëse se si do të adresohet ky problem. Nuk ka as plan se si do të shkohet tutje”, tha Canhasi.

Canhasi tha se niveli i lartë i korrupsionit, vazhdon të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

Shkalla e lartë e papunësisë, sipas tij, është pasojë e mungesës së investimeve, të cilat në 2015-ten mbetën larg dyerve të Kosovës, pikërisht nga korrupsioni dhe ngathtësia e gjyqësorit për të garantuar sundimin e ligjit.

“Bllokada politike që ka qenë në këtë vit dhe ka eskaluar deri tek dhuna e hapur mes pozitës dhe opozitës, ka shkaktuar mjaft probleme dhe ka devijuar plotësisht prioritetin e luftës kundër korrupsionit. Për shkak të korrupsionit kemi mungesë të liberalizimit të vizave dhe kemi mungesë të investimeve të huaja”, tha Canhasi.

Drejtuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit, theksojnë ndërkaq se edhe pse lufta kundër kësaj dukurie thuhet në vazhdimësi se është një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës, megjithatë angazhimi institucioneve përkatëse për ta luftuar këtë dukuri ka munguar edhe në vitin 2015.