Katër vitaminat dhe mineralet e nevojshme për çdo shqiptar

E publikuar: 20/11/2024 22:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të dhënat shkencore të AgroWeb.org shpjegojnë se një i rritur duhet të jetë i vëmendshëm ndaj të paktën 4 vitaminave dhe mineraleve.

Mënyra më e mirë për të marrë këta ushqyes të nevojshëm është sigurisht nëpërmjet konsumit të frutave dhe ushqimeve të papërpunuara e natyrale.

Të dhënat nga Organizata Botërore e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) që datojnë në vitin 2013, konfirmojnë se shqiptarët janë konsumatorët më të mëdhenj të frutave në rajon.

Sipas të dhënave të kësaj organizate, në vitin 2013, një shqiptar konsumonte mesatarisht 142 kilogramë fruta në vit.

Duke qenë se mjaft shqiptarë jetojnë në zona rurale, frutat dhe perimet janë pjesë e përditshme e ushqimit.

Konsumi mesatar i frutave në vendet e Bashkimit Evropian ishte 104 kilogramë për frymë ndërsa në vendet e Evropës Lindore, vërehet një konsum mesatar prej 68 kilogramësh fruta për frymë.

Pavarësisht konsumit të lartë të frutave, shqiptarët janë konsumatorë edhe të suplementeve farmaceutike të vitaminave dhe minerale.

Nga një vëzhgim në farmacitë e kryeqytetit, del se ndër suplementët më të preferuar janë komplekset e vitaminave dhe mineraleve dhe në veçanti vaji i peshkut.

Ky i fundit është një burim i pasur i acideve yndyrore Omega-3.

Sa i përket kalçiumit, një prej mineraleve më të dobishme për shëndetin e kockave, ai kryesisht merret nga të moshuarit dhe të prekurit nga osteoporoza.

Në përgjithësi, farmacistët shpjegojnë se multivitaminat jepen me recetë nga mjeku në rastet kur duhet të shoqërojnë antibiotikët ose në varësi të stinës për rritjen e imunitetit.

Kaliumi
Kaliumi mund të jetë një ushqyes për të cilin shqiptarët dëgjojnë pak.

Megjithatë, kaliumi luan një rol kryesor në uljen e tensionit të gjakut.

Ekspertët shpjegojnë se kaliumi ka aftësi përmirësuese për shëndetin e veshkave dhe të kockave.

Të rriturit kanë nevojë për 4,700 miligramë kalium në ditë.

Burimet më të mira të kalçiumit janë, peshku ton, merluci, kumbullat e thata, karrotat, portokalli dhe domatet.

Vitamina D
Shqiptarët janë të bekuar me natyrën dhe klimën e mirë.

Por ekspozimi në diell falë të cilit trupi prodhon vitaminë D, nuk është i mjaftueshëm.

Vitamina D është bashkëpunëtore e shkëlqyer e kalçiumit për forcimin e kockave.

Ajo gjendet tek burime të kufizuara si salmoni, sardelet, peshku ton, e verdha e vezës, qumështi dhe lëngu i portokallit.

Kalçiumi
Ky mineral është i dobishëm për kockat.

Një i rritur nga mosha 19 deri në 50 vjeç ka nevojë për 1,000 miligramë në ditë.

Gratë mbi 50 vjeç dhe të gjithë të moshuarit mbi 70 vjeç kanë nevojë për 1,200 miligramë në ditë.

Burimet më të mira të kalçiumit janë ato të bulmetit, por edhe lëngu i portokallit, salmoni dhe barishtet.

Fibra
Konstipacioni është një problem shumë i përhapur, për të cilin shqiptarët e gjejnë zgjidhjen kryesisht tek ushqimet.

Fibra, është një ushqyes që gjendet tek fasulet, perimet, drithërat e plota e sidomos tërshëra.

Ajo është e nevojshme për pastrimin e sistemit tretës por edhe për të ulur rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit.

Gratë dhe vajzat duhet të konsumojnë minimalisht 25 gramë fibër në ditë.

Djemtë dhe burrat kanë nevojë për 38 gramë fibër në ditë.