Katër të arrestuar në Maqedoninë e Veriut, dyshohen për lidhje me ISIS

E publikuar: 24/01/2025 17:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Katër persona të dyshuar për krijimin e organizatës terroriste janë privuar nga liria, ndërsa Ministria e Brendshme në Maqedoni të Veriut ka ngritur kallëzime penale ndaj tyre.

Policia ka kryer kontrolle në pesë lokacione në Shkup dhe Gostivar dhe dyshimet janë se celula terroriste ishte e lidhur ideologjikisht me grupin e njohur terrorist- ISIS.

“Synimi i anëtarëve të celulës terroriste ishte kryerja e aktit terrorist kundër objektivave civile ose të ashtuquajtura objektiva të buta, gjegjësisht objekteve publike në vend, me qëllim të krijimit të ndjenjës së pasigurisë ose frikës tek qytetarët. Për të arritur qëllimin e tij, i akuzuari i parë ka krijuar disa grupe në rrjetin social Telegram, në të cilat shpërndante materiale propagandistike të marrë dhe të përkthyer më parë të ISIS-it duke rekrutuar anëtarë të ri”, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.

Pas kallëzimit penal nga MPB-ja, prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit tashmë ka marrë masa për këtë rast ndërsa të dyshuarit tashmë janë në paraburgim. /Alsat.mk.