Katër skuadra  synojnë vendin në finale

E publikuar: 13/05/2022 21:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Turneu final i Kupës së Republikës së Kosovës fillon me ndeshjet gjysmëfinale të hendbollisteve. Të shtunën prej orës 14:00 në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, takohen Istogu e Prishtina. Është kjo gjysmëfinalja e parë.

Istogu ka fituar titullin e kampionit, duke qenë i pandalshëm në Superligë. Tani istogaset e synojnë edhe Kupën e Kosovës, të cilën e fituan vjet.

Prishtina u ndal në gjysmëfinale të plejofit, por shfaqi lojëra të mira. Me paraqitja të mira do të synojë të vazhdojë edhe në turneun e Kupës. Fillimisht prishtinaset synojnë të zënë vend në finale.

Gjysmëfinalja e dytë luhet prej orës 16:00 në mes të Vushtrrisë dhe Ferizajt. Vushtrria po ashtu u ndal në gjysmëfinale të plejofit dhe synon hap tutje në garën për Kupë.

Ndërkohë Ferizaj, që llogarit edhe në përkrahjen e shikuesve pasi luan në shtëpi, ka aspirata të mëdha pas ndaljes në finale të plejofit.

Në përgjithësi, tifozët e hendbollit i presin dy gjysmëfinale të forta dhe interesante. Pjesëmarrja e shikuesve në numër sa më të madh vetëm sa do ta madhështojë turneun final të Kupës së Republikës së Kosovës.

Finalet në të dy konkurrencat janë të dielën./InfoSot/