Katalonasit që e përshkruajnë veten si “shumica e heshtur” e kundërshtuan pavarësinë e rajonit e me këtë slogan mbushën rrugët e Barcelonës të dielën.
Policia thotë se të paktën 350.000 vetë morën pjesë në tubimin gjigant, organizatorët e të cilit pretendojnë se numri i pjesëmarrësve ishte gati 1 milion. Demonstruesit u mblodhën në sheshin Urquinaona, duke valëvitur flamuj spanjollë, katalanas e të Bashkimit Evropian, ndërsa thërrisnin me të madhe “Rroftë Spanja!”
LEXO EDHE: Mijëra njerëz protestojnë pro-unitetit spanjoll
Eventi me moton “Mjaft më, t`i kthehemi arsyes” u organizua nga Shoqata Qytetare Katalonase, e cila i bëri thirrje banorëve të rajonit të ngrenë zërin e tyre si mazhorancë e heshtur. Laureati i Nobelit në Letërsi, Mario Vargas Llosa dhe ish-Presidenti i Komsionit Europian, Josep Borell, një socialist katalanas tejet i njohur, iu drejtuan protestuesve në fund të tubimit, transmeton topchannel.
“Përtej kujtimeve të së shkuarës, ndonjëherë madhështore, e herë të tjera tragjike, Spanja është gjithashtu një vend i lirisë, vend i sundimit të ligjit dhe nuk do të shkatërrohet nga separatizmi”, tha Llosa.
Borell u shpreh se Katalonja nuk është një shtet si Kosova, ku të drejtat e njerëzve ishin shkelur sistematikisht: “Katalonja nuk është si Kosova, Lituania apo Algjeria. Nuk është një territor i pushtuar apo i militarizuar. Krahasimi nuk ka vend”.
Spanja është zhytur në krizë politike që kur liderët katalonas i bënë realitet zotimet e mbajtjes së referendumit të pavarësisë në 1 tetor, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vendit që e shpallte votimin të paligjshëm.


















