Trepca ’89 pësoi humbjen e dytë radhazi në Superligën e Kosovës, duke lëshuar shumë terren në klasifikimin e përgjithshëm. Mitrovicasit dolën pa pikë në sfidën me Besën e Pejës, pasi u ndëshkuan nga goli i Kastriot Rexhës në pjesën e dytë. Në fakt kjo ndeshje u kushtëzua nga fakti që Trepca ’89 luajti për 80 minuta me një lojtar më pak pas ndëshkimit të karton të kuq Shpëtim Idrizit. Gjatë pjesës së parë, miqtë nga Mitrovica edhe pse në inferioritet numerik u përballën si të barabartë me pejanët, por në minutën e 58 ekuilibrat në shifra u prishën kur Kastriot Rexha arriti të realizonte golin që do të rezultonte vendimtar për fatet e këtij takimi. Pas këtij momenti për Trepcën ’89 gjithcka u bë më e vështirë, pasi Besa u mbrojt me shumë forca duke mos lejuar hapësira prapa. Me këtë fitore skuadra nga Peja forcoi pozitat në klasifikim në kuotën e 20 pikëve.
Në dy takimet e tjera të së dielës, Llapi mposhti 2-0 Prishtinën, ndërsa me të njëjtin rezultat Istogu kaloi Dritën./ss/