Kastrati pas zhvendosjes së Sunny Hill: Hello Prishtinali qe e keni votu VV-në për inati të PDK-së

E publikuar: 15/06/2022 22:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në pamundësi që të marrë në shfrytëzim një tokë prej 17 hektarësh në Komunën e Prishtinës për 99 vjet, festivali i njohur i muzikës “Sunny Hill Festival”, u zhvendos nga Prishtina për në Tiranë.

Për këtë çështje, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati ka ironizuar me qytetarët e Prishtinës që e kanë votuar Lëvizjen Vetëvendosje “për inati të PDK-së”.

Ai në një postim në Facebook madje shtoi duke shkruar se “hajt me axhën mos u mërzitni”, teksa u shpreh se kryeministri Albin Kurti në fund të mandatit do ta sjellë këngëtarin shqiptar nga Tuzi, Nikollë Nikprelajn.

“Hello Prishtinali qe e keni votu VV-në për inati të PDK-së…..a ua hoqi mundësinë Albini me pa live “ COLDPLAY”, a?…..hajt me axhin mos u mërzitni….deri në fund të mandatit Albini ua lejon Nikollë Nikprelajn….keniii me uuuu kenaqqq…veç sigurohuni me u vesh krejt si Albini….taman detashment kulturor komunist….MESHNET”, shkroi ai.

Vendimi për zhvendosjen e festivalit në Tiranë, të paktën për këtë vit u mor më 14 qershor, më pak se dy muaj para kohës kur ishte planifikuar të mbahet festivali, nga 4-7 gusht.