Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka shprehur shqetësimin e tij të thellë lidhur me zhvillimet e fundit në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një njoftim, KASH vlerëson se procesi, “në formën dhe narrativën që po merr”, rrezikon seriozisht të deformojë realitetin historik dhe juridik të Luftës së Kosovës, duke theksuar se lufta çlirimtare e popullit të Kosovës ishte reagim i ligjshëm dhe i domosdoshëm ndaj dhunës sistematike, spastrimit etnik dhe krimeve të luftës të ushtruara nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Sipas KASH-it, çdo përpjekje për të barazuar agresorin shtetëror me viktimën që luftoi për mbijetesë dhe liri përbën fyerje për popullin e Kosovës dhe për vetë ndërhyrjen ndërkombëtare të Perëndimit, e cila u ndërmor për të ndalur krimet e luftës dhe gjenocidin.
Këshilli paralajmëron se një “proces i deformuar” mund të relativizojë apo edhe të amnistojë përgjegjësinë historike dhe politike të udhëheqjes shtetërore serbe për krimet e kryera në Kosovë, duke e quajtur këtë “padrejtësi të rëndë historike” dhe “precedent të rrezikshëm” për të drejtën ndërkombëtare.
KASH riafirmon mbështetjen për drejtësinë ndërkombëtare të paanshme, por thekson se drejtësia nuk mund të shkëputet nga e vërteta historike dhe konteksti i plotë i ngjarjeve.
“Çlirimi i Kosovës ishte akt legjitim i një populli të shtypur, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet një forcë çlirimtare, jo objekt i revizionizmit politik apo juridik”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë. /Kp


















