Gjatë vitit 2025, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve publikë janë përballur me masa ndëshkuese për shkak të mosrespektimit të obligimeve ligjore për deklarim pasurie.
Kjo është bërë e ditur nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në një përgjigje për Indeksonlinen.
Sipas APK-së për vonesa deri në 15 ditë, janë shqiptuar gjithsej 135 gjoba.
‘’Për vonesa deri në 15 ditë janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 30% të pagës mujore, përkatësisht për këtë kategori shkeljesh janë shqiptuar gjithsej 135 gjoba. Ndërkaq, për vonesa mbi 15 ditë dhe varësisht nga natyra e shkeljes, në përputhje me legjislacionin në fuqi, 16 raste janë përcjell në organet kompetente të drejtësisë – prokurori’’, thuhet në një përgjigje për Indeksonlinen.
Ndërsa këtë vit sipas APK-së 4 mijë e 404 ende nuk e kanë filluar procesin e deklarimit që pritet të përfundojë në fund të këtij muaji.
Më tej është bërë e ditur se deri tani, 3 mijë e 915 zyrtarë publikë apo 37.82% e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë, ndërsa edhe 2 mijë e 34 apo 19.65% të tjerë e kanë nisur procesin, por ende nuk e kanë përmbyllur atë.


















