Kaq nxënës dhe mësimdhënës janë të infektuar me Covid

E publikuar: 27/01/2022 18:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, në Kuvendin e Kosovës ka folur për situatën me COVID-19 në sistemin parauniversitar.


Nagavci theksoi se, gjatë tërë kohës kanë punuar që të ketë menaxhim të koronavirusit.


“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka ndërmarrë veprime konkrete që mësimi të zhvillohet në të gjitha nivelet sipas kushteve dhe respektimit të masave të vendosura nga IKSHPK-ja, po ashtu edhe duke i respektuar të gjitha vendimet e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Nagavci.


Tutje, ajo tha se ka shkolla, të cilat mësimin janë duke e zhvilluar online, por ka edhe shkolla të tjera që mësimin janë duke e zhvilluar fizikisht.


“Për më shumë në ministri i pranojmë raportet ditore për situatën, në bazë të raportit të ditës së sotme, nga 775 institucione edukative arsimore, janë 90 shkolla që punojnë sipas skenarit C. Ndërsa sa u përket rasteve aktive, 1,489 mësimdhënës janë pozitivë me COVID-19, 187 individë janë personel tjetër, si dhe 6,684 nxënës janë pozitivë dhe janë të izoluar”, ka deklaruar Nagavci.