Beogradi zyrtar është mjaft i shqetësuar me paralajmërimet se platforma negociuese e Bashkimit Evropian për Kapitullin 35 parasheh tema dhe çështje për Kosovën të cilat Serbia i kishte menduar të tejkaluara.
Në këtë platformë, ndër të tjera, theksohet se Serbia duhet të caktojë kufijtë e vet me Kosovën dhe se pastaj të dy vendet do të nënshkruajnë një marrëveshje detyruese juridike që “sanksionon” marrëdhëniet e tyre.
Kundër kësaj platforme tashmë janë deklaruar të gjithë krerët e serbë, e sot radha i erdhi ministrit të Serbisë për Punë Aleksandar Vulin, i cili njihet si zyrtari serb që më së shpeshti e ka vizituar Kosovën, me leje e pa leje të Qeverisë së Kosovës.
Vulin, siç njofton gazeta “Blic” e Beogradit, transmeton Koha.net, ka thënë se Serbia duhet të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare për shkak se “ai e di ç’është Kapitulli 35 dhe për shkak se e di shumë mirë qëndrimin e kryeministrit”.
Ai ka theksuar se për vetë idenë e hapjes së ndonjë kapitulli, siç është Kapitulli 35, Serbia duhet të bëjë diçka për çfarë nuk është e detyruar me Marrëveshje të Brukselit dhe kjo gjë është e papranueshme duke shtuar se ndaj Beogradit janë shtuar presionet.
Vulin në fund ka thënë se edhe në Serbi ka politikanë që mendojnë se Kosovën duhet njohur dhe se edhe ky qëndrim është arsye për mbajtje të zgjedhjeve.