Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare ka thënë se KFOR-i duhet në mënyrë urgjente t’i largojë barrikadat në veri të Republikës së Kosovës.
“KFOR-i të largojë urgjentisht barrikadat nga veriu i Kosovës”, ka shkruar Kandiqi në “Twitter”.
Barrikadat në veriun e Kosovës janë vendosur pas disa incidenteve në veri prej fillimit të dhjetorit. Më 10 dhjetor, Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin Dejan Pantiq, nën dyshimet se kishte organizuar një sulm katër ditë më parë ndaj zyrtarëve zgjedhorë dhe policorë të Kosovës.
Kosova ka shtyrë zgjedhjet që ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor, pasi kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri, ishin dorëhequr. Zgjedhjet ishin shtyrë pas kërkesës së ndërkombëtarëve, të cilët i druheshin eskalimeve, pasi përfaqësuesit politikë të serbëve që ishin dorëhequr, nuk donin të mbaheshin këto zgjedhje dhe kishin nisur reaksionet.
Zyrtarë të Listës Serbe vazhdimisht lajmërohen nga barrikadat, ndërsa pushteti në Serbi thoshte se nuk e ka urdhëruar bllokimin e rrugëve në veri, ndonëse zyrtarët më të lartë serbë, si presidenti e kryeministrja, i mbrojnë këto barrikada.
Të hënën vonë është vendosur edhe një barrikadë tjetër në rrugët e veriut.