Kandidati i AAK-së Ahmet Isufi: Gjilani, Vitia dhe Anamorava peritojnë përfaqësim dinjitoz dhe projekte të reja për Kosovën Fituese

E publikuar: 11/01/2025 05:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka zhvilluar sot tubime mobilizuese në komunat e Vitisë dhe Dobërçanit të Gjilanit, në prani të Gjeneral Daut Haradinajt dhe strukturave udhëheqëse të partisë. Gjatë takimeve, Isufi ka prezantuar pjesë nga programi zhvillimor i AAK-së për Kosovën Fituese.

“Gjilani, Vitia dhe e gjithë Anamorava meritojnë përfaqësim më serioz e dinjitoz për realizimin e projekteve të mbetura përgjysmë dhe për nisjen e projekteve të reja me dinamikë të theksuar,” theksoi Isufi. Ai nënvizoi rëndësinë e programit praktik të AAK-së dhe koalicionit të udhëhequr nga kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj.

Sipas Isufit, kjo qasje synon të sigurojë një proces të ri qeverisës që do t’i japë fund “agonisë aktuale” dhe do të vendosë Kosovën në rrugën drejt zhvillimit dhe përparimit.

“Ky qëllim arrihet me njerëz të dëshmuar në periudhat më të rëndësishme për lirinë dhe shtetndërtimin,” tha ai, duke ftuar qytetarët që më 9 shkurt të mbështesin ndryshimin dhe të votojnë për Kosovën Fituese.

Ahmet Isufi falënderoi kolegët Ibish Ibishi, Lulzim Hajdari, Franklin Ramaj, Labinot Gjini dhe Prof. Engjëll Koliqi për mikpritjen dhe organizimin e suksesshëm të tubimeve.