Kandidati i AAK-së, Ahmet Isufi: Anëtarësimi i Kosovës në NATO është i mundshëm nëpërmjet komunikimit të mirë me SHBA-në dhe partnerët ndërkombëtarë

E publikuar: 13/01/2025 22:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me një komunikim të mirë me SHBA-në dhe me partnerët ndërkombëtarë, Anëtarësimi i Kosovës në NATO është i mundshëm pa ndryshime kushtetuese.

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është i mundshëm nëpërmjet komunikimit me partnerët ndërkombëtarë dhe garancive të Qeverisë së Kosovës.

Ai ka thënë të hënën “Zgjedhjet në KOHË” të KTV-së se anëtarësimi do të mund të bëhej si në rastin e themelimit të ushtrisë së Kosovës, pa ndryshime kushtetuese.

“Përmes një komunikimi serioz, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën kur kemi marrë përgjegjësi. Një komunikim normal duke pasur parasysh prioritetet me miqtë që kanë ndihmuar Kosovën deri në këtë periudhë. Është interesant të përmendet periudha kur është thënë të bëhen ndryshime kushtetuese për themelimin e ushtrisë së Kosovës, e është gjetur një formulë ndryshe në partneritet me vendet e NATO-s”, ka deklaruar Isufi.

Ai ka shtuar tutje se anëtarësimi do të bëhej duke dhënë garanci serioze Kosova dhe nëpërmjet interesit të vendeve të NATO-s që Kosova të ishte pjesë e saj.

“Me një komunikim të mirë me SHBA-në dhe me partneritet kjo s’ka kthim”, ka shtuar Isufi./koha.net