Kanceri i gjirit dhe ai i mushkërive po i vret kosovarët

E publikuar: 05/02/2018 17:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbi 1 mijë e 500 kosovarë vetëm gjatë vitit të kaluar janë diagnostikuar me kancer, 334 raste më shumë se në vitin 2016. Më të shpeshtat janë rastet e kancerit të gjirit, mushkërive dhe ato gastrointestinalë. Në Ditën Botërore të Kancerit, Gazeta Express ka biseduar me pacienten S. Rahimi e cila ka mposhtur këtë sëmundje të rëndë, por që me vështirësi po i përballon çmimet e shtrenjta të terapisë.

Qytetarët e Kosovës janë duke u rrezikuar çdo ditë e më shumë nga sëmundja e kancerit. Numri i të prekurve me ketë sëmundje, thuajse të pashërueshme është duke u rritur çdo herë. Sfidë mbetet mungesa e qasjes në medikamentet e reja farmaceutike, si dhe kostoja e lartë e tyre.

Gjatë gjithë vitit të kaluar në Qendrën Klinike Universitare janë trajtuar 1 mijë e 571 raste me kancer. Shifër kjo më e lartë për 334 raste krahasuar me vitin 2016. Lloji më i shpeshtë i kancerit po del të jetë ai i mushkërive tek meshkujt si dhe kanceri i gjirit tek femrat.

53 vjecarja nga fshati Mramor, S.Rrahimi, ka arritur që ta mposhtë kancerin e gjirit. Ajo thotë se gjatë muajit mars të vitit të lamë pas është diagnostikuar me këtë sëmundje. Thotë se ka pasur fat që sëmundjen e ka zbuluar në fazë të hershme.

“Jam nënë e 5 fëmijëve. Jam diagnostikuar me këtë sëmundje para një viti gati. Kam ardh për një kontroll të thjeshtë dhe më ka dal kjo sëmundje. Tash mirë jam, kohë pas kohe i bëjë terapitë”, thotë ajo. Ndonëse 53 vjeçarja shton se trajtimi për këtë sëmundje ka qenë shumë i kushtueshëm.

“Po kam problem tash se terapitë po janë bajagi të kushtueshme. Shumicën po i kryej vet”, thotë ajo.

E në ndërkohë gjatë ditës së sotme në kuadër të Ditës Botërore të Kancerit, Bordi Nacional për Kontroll të Kancerit ka organizuar një tryezë diskutimi për të arriturat dhe sfidat e sistemit shëndetësor të Kosovës në luftën kundër kësaj sëmundje.

Ndërkohë që sipas doktoreshës në Klinikën e Onkologjisë, Diana Ademi, mosha mesatare e të prekurve me kancer në Kosovë është ajo 30 vjeç.

Nga shifra prej 1 mijë e 500 pacientëve rastet më të shpejta janë me kancerin e gjirit kur për gjithë vitin e kaluar kanë qenë 329 raste, me të mushkërive 252 raste, gastrointestinal 379 raste, ai gjinekologjik 191 raste ndërkohë që kanceri në kokë, qafë e në inde është paraqitur tek 231 kosovarë si dhe ai urogjenital tek 200 kosovarë të tjerë. E ndërkohë çdo ditë Klinikën e Onkologjisë e frekuentojnë rreth 150 pacientë.

E ndërkohë që edhe në repartin e Leukemisë dhe Onkologjisë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, rreth 51 raste të fëmijëve janë paraqitur me sëmundje malinje. 25 prej tyre vuajnë prej leukemisë.Ndërkohë që ndihmë financiare për shërim jashtë vendit nga sëmundja e leukemisë kanë kërkuar 52 kosovarë gjatë gjithë vitit.

Megjithëkëtë, kryesuesja e Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit, Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu, ka deklaruar se Kosova duhet të zhvillojë protokolle të bazuara në evidenca për menaxhimin e sëmundjes tek fëmijët dhe të rriturit, duke përfshirë edhe kujdesin paliativ.

Ajo theksoi se pacientët kosovarë përballen me mungesë të barnave të zbuluara nga hulumtimet e fundit, për shkak të kostos së lartë të tyre.

“Medikamentet e reja të bazuara në hulumtimet inovative për trajtim të kancerit në vitet e fundit, mbeten barrierë për Kosovën për shkak të çmimeve të shtrenjta”, ka deklaruar ajo.

Manxhuka-Kërliu theksoi nëntë synimet e Deklaratës Botërore të kancerit e cila përfshin: Fuqizimin e sistemit shëndetësor për kontroll më efektive të kancerit, një kancer-regjistër më efektiv, reduktimi i ekspozimit të faktorëve të rrezikut, mbështetje për programet e vaksinimit, reduktim të stigmës dhe mitit të kancerit, qasje universale në programet e skriningut dhe detektim të hershëm, përmirësim të kujdesit dhe shërbimeve shëndetësore, si dhe edukim të vazhdueshëm të profesionistëve.

“Përmbushja e këtyre obligimeve deri në vitin 2020 do të ulte incidencën e kancerit për 25 për qind”, është shprehur mjekja.

Ministri Uran Ismaili tha se mjekët do të kenë përkrahjen e plotë dhe i ftoi që të punojnë së bashku në mënyrë që të funksionojnë hallkat e përbashkëta kundër sëmundjes së kancerit.

“As sot dhe asnjë ditë tjetër kancerit nuk duhet të konsiderohet si dënim me vdekje dhe aq më pak kur përditë e më shumë po shtohet kapacitetet dhe mundësit për të zvogëluar barrën e tij”, është shprehur Ismaili./GazetaExpress/