Kanalizimi në sipërfaqe në afërsi të laboratorit në Vushtrri

E publikuar: 17/04/2015 10:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbrapa një shtëpie të banimit kolektiv që gjendet afër laboratorit të urgjencës mjekësore në Vushtrri, ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe.

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se si ujërat e zeza dhe kundërmimi në këtë pjesë të qytetit po paraqesin problem për punëtorët dhe pacientët e këtij laboratori.

Xhevat Murati i cili banon që nga viti 1979 në këtë shtëpi kolektive shprehet se një situatë e tillë mbretëron për gati një vit, që nga koha kur është ndërtuar objekti i ambulancës.

“S’po rrihet prej erës, s’po rrihet kurqysh hiq. Kur po bjen shi mos vet hiq, edhe brenda po na hynë ujërat e zeza. Po flen uji këndej edhe brenda po na hynë, askush parasysh nuk na ka marrë kurrë as s’po na merr kush”, rrëfen ai.

Për këtë gjendje janë njoftuar edhe Komuna e Vushtrrisë, ndërkaq të premten e kaluar kanë inspeksioni ka dalë në terren.

Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në komunën e Vushtrrisë, Gëzim Saraçi tha se deri te kjo gjendje ka ardhur në mungesë të kyçjes në rrjetin e kanalizimit, ndërkaq ky objekt ka vetëm gropë skeptike.

“Ne kemi dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kemi konstatuar se bëhet fjalë për një mbushje të një grope skeptike edhe i kemi njoftuar menjëherë institucionet përgjegjëse, kompaninë për menaxhimin e mbeturinave, kompaninë për ujësjellës dhe kanalizim”, deklaroi Saraçi.

Sipas Saraçit shumë shpejt do të bëhet pastrimi i mbeturinave dhe gropës e cila gjendet mbrapa shtëpisë kolektive, e para laboratorit.

“Më kanë premtuar [kompanitë] që shumë shpejt do të bëhet pastrimi i mbeturinave atu edhe zbrazja e gropës skeptike”, u zotua ai.

Ndërkaq, Drejtori i drejtorisë për Shërbimeve Publike, Gani Imeri u shpreh kjo gjendje ka ardhur si shkak i hedhjes së mbeturinave të banorëve të tri ose katër familjeve të banesës kolektive që dikur ka shërbyer si kazermë, dhe shpërthimit të një gypi të ujërave të zeza.

“Ne i kemi njoftuar kompanitë i kemi obliguar dhe faktikisht ato shpenzime i merr përsipër komuna. Sot (e enjte) kanë dalë këta të mbeturinave dhe së shpejti pritet edhe këta të ujërave të zeza, mund të ndodh që sot të evitohen”, tha Imeri.

Për mirëmbajtjen e qytetit të Vushtrrisë janë të angazhuara kompania regjionale e mbeturinave “Uniteti” dhe kompania rajonale e ujërave të zeza “Mitrovica”.

Drejtori i kompanisë së mbeturinave “Uniteti” për komunën e Vushtrrisë, Ragip Mikushnica, tha se punëtorët e kompanisë së tij kanë dalë menjëherë për të pastruar mbeturinat në atë pjesë.

“Javën e kaluar është pastruar krejt, bile në fakt më ka mbet edhe traktori aty prej ujit, përndryshe ne menjëherë intervenojmë”, u shpreh Mikushnica.

E, Sami Miftari Kryeshef Ekzekutiv i kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Mitrovica” u shpreh se të premten është sanuar ai defekt.

“Në atë pjesë janë përzier ujërat e pijes me ujëra të zeza, kështu që kompania jonë ka dalë të enjten dhe të premten e kanë sanuar atë defekt”, tha Miftari./Kallxo.com/