Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar mbrëmjen e sotme në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”, ka thënë Elshani.
Ndërsa dyshohet se kanalet Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci në veri të vendit dyshohet të jenë sulmuar me dinamitë.
Kryeshefi i kësaj KRU-je, Faruk Mujka tha se është hedhur dinamit dhe se janë duke provuar që ta sanojnë dëmin.
“Po, e kemi një dëmtim dhe për momentin e kemi ndaluar ujin dhe po këqyrim me e sanu sa më shpejt, sepse prej aty po lirohet edhe ujësjellësit edhe KEK-u. Kështu që, po këqyrim sa më shpejt me e rregullu këtë punë. Në momentin kur e gjunë dikush ndonjë dinamit aty, e qëllimshme është ajo, s’ka si të jetë tjetër”, tha ai.