Kanabis mes misrit, zbulohet në Greqi plantacioni me vlerë 15 milionë euro

E publikuar: 04/10/2024 23:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një plantacion kanabisi, që është përllogaritur se prodhon deri në 15 milionë euro të ardhura, është lokalizuar nga policia greke në një arë në zonën e Viotisë.

Fidanët e kanabisit ishin kultivuar në mes rreshtave të një parcele të mbjellë me misër nga fermerë të zonë, raporton A2.

Policia e Thivës në bashkëpunim me nëndrejtorinë e Sigurisë së Atikës Verilindore sekuestruan në total 8342 bimëve kanabisi, me lartësi nga 1,2 deri në 3,5 metra, në fazën para vjeljes, shkruan A2.

Përveç bimëve, në vendin e plantacionit u gjetën dhe u konfiskuan katër tenda të improvizuara, si dhe veshje dhe ushqime. Pasditen e së mërkurës u arrestua një shtetas, i cili u identifikua si anëtar i një organizate kriminale që ushtronte aktivitet në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.

Në hetimin, i cili u krye në shtëpinë e të arrestuarit, që besohet të jetë roja e plantacionit autoritetet gjetën 48 gëzhoja të kalibrit 7.65 mm dhe 1850 euro, ndërsa u sekuestruan dhe dy makina në pronësi të tij.

Sipas Policisë, organizata kriminale, e cila ka qenë aktive të paktën që nga muaji maj i këtij viti, llogaritet të ketë realizuar fitime të paligjshme prej rreth 15 milionë eurosh nga kanabisi i kultivuar.