Kamionët e mallrave nuk respektojnë orarin e qarkullimit në Prishtinë, por nuk gjobiten

E publikuar: 17/03/2024 13:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Furnitorët dhe kamionët që bartin material ndërtimor në kryeqytet po vazhdojnë me mosrespektimin e rregullores e cila parasheh lëvizjen e tyre, duke krijuar kështu kolona nëpër rrugë, si dhe bllokim të trotuareve për këmbësorët.

Komuna e Prishtinës në fund të vitit 2022, mori vendim që mjetet motorike dhe elektronike që kanë qëllim furnizimin me mallra të subjekteve afariste, të lejohen në sheshin e kryeqytetit nga ora 23:00 deri në orën 07:00, por jo më shumë se 3.5 ton.

Kurse, nga ora 19:00 e deri në orën 07:00, lejohet qarkullimi në rrugët “Bill Clinton”, “Idriz Gjilani”, “Bekim Fehmiu”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pastaj nga rreth-rrotullimi i Flamurit, rruga ‘Agim Ramadani”, dhe udhëkryqi te konviktet, rruga “Edmond Hoxha”, te salla 1 Tetor, rruga “Ilir Konushevci”, në hyrje të qytetit nga drejtimi i Podujevës, si dhe te hyrja në qendër të qytetit nga rreth-rrotullimi në lagjen Arbëria, në rrugën “UÇK-së”, dhe rrugën “Fehmi Agani”.

Ndërsa, nga ora 18:00 e deri në orën 07:00, lejohet qarkullimi në zonën periferike të kryeqytetit pjesë kjo e quajtur si Zona 2.

Por në Prishtinë po ndodhë krejt e kundërta, pasi furnitorët nuk po e respektojnë këtë rregullore dhe po vazhdojnë të qarkullojnë gjatë ditës. Qarkullimi i tyre në kohë të pacaktuar, po ngulfatë rrugët e kryeqytetit dhe po bllokon automjetet e vogla, duke vështirësuar kështu edhe lëvizjen e këmbësorëve.

Disa nga qytetarët të cilët i ka intervistuar KosovaPress, janë ankuar se kamionët po i pengojnë gjatë ditës. Qytetari nga Prishtina, Kadriu tha se furnitorët dhe kamionët, të cilët kryejnë punë të vrazhda, duhet të qarkullojnë gjatë natës, sikur funksionojnë edhe në Evropë. Ai tha se kamionët parkohen në mes të rrugës dhe kjo nuk është e lejueshme.

Ndërkaq, Muharrem Mahmuti tha se çështja e lëvizjes së kamionëve të mallrave në Prishtinë, duhet të rregullohet me ligj sepse qarkullimi i tyre po i bllokon rrugët.

Po ashtu, Bajram Bunjaku tha se kamionët të cilat qarkullojnë rrugëve të kryeqytetit duke mos respektuar rregulloren e caktuar, duhet të gjobiten.

Rregullorja e caktuar për furnitorët në kryeqytet monitorohet nga inspektorati i Prishtinës. Drejtori i kësaj drejtorie, Florian Dushi tha se transportuesit e mallrave nuk po respektojnë këtë rregullore për shkak se sipas urdhëresës së kryetarit, nuk parashihen gjoba për të njëjtit. Dushi tha se duhet të ketë një ndryshim sepse çështja e orarit të furnitorëve në kryeqytet nuk rregullohet pa gjoba./KP