Kameramani i Klan Kosovës, Agon Bejtullahu, ka rrëfyer se si është përballur me dy sulme në veri të Mitrovicës, nga persona të maskuar.
Bejtullahu ka treguar se atje shkojnë për të kryer punën dhe për të raportuar për situatën si në çdo terren tjetër, njofton Klankosova.tv.
“Në dy të hënat e fundit të këtij viti, përjetoj dy sulme në veri të Mitrovicës nga persona të maskuar me ekipet që isha. Ne nuk shkojmë atje se duam, atje shkojmë për të kryer punën tonë, për të raportuar situatën si në çdo terren tjetër që dalim”, ka shkruar Bejtullahu.
Ai ka shtuar duke thënë se këto raste duhet të jenë kambanë alarmi për institucionet.
“Në përvojën time 10 vjeçare si punonjës në media, këto raste janë të forta dhe duhet të jenë kambanë alarmi për institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Bejtullahu potencoi se ka dy thirrje; njërën për institucionet e Kosovës, që të krijojnë siguri për ekipet e mediave, tjetrën për ata që vendosin maska, që t’i lejojnë që ta bëjnë punën e tyre.
“I kam dy thirrje: 1. Ju bëj thirrje institucioneve tona që të krijojnë siguri në terren për ekipet e mediave në mënyrë që ta bëjmë punën tonë pa na u rrezikuar jeta, si në rastin konkret, sot”, shtoi ai.
“2. Ju bëj thirrje të gjithë atyre që vendosin maska edhe atyre që nuk vendosin maska, të na lejojnë që të bëjmë punën tonë. Unë si kameraman, besoj edhe shume kolegë nuk shkojmë për të dëmtuar dikë e që ta paraqesim si kriminel, apo të etiketojmë si bllokues, për këtë gjë janë institucionet e sigurisë e jo mediat apo njerëzit e mediave”.
“Unë nuk do të ndalem që të bëjë punën në mënyrën më të mirë të mundshme me dinjitet dhe plot krenari”.