Kamberi reagon për stërvitjet ushtarake pranë kufirit me Kosovën, kjo është kërkesa e tij

E publikuar: 19/03/2026 17:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pas zhvillimit të stërvitjeve ushtarake të Serbisë në territorin e Komunës së Bujanocit, pranë kufirit me Republikën e Kosovës.

Ai ka kërkuar rritjen e numrit të forcave të KFOR-it në atë pjesë.

“Ruajtja e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të sigurisë kërkon angazhim të vazhdueshëm për respektim të normave ndërkombëtare dhe forcim të mekanizmave për parandalimin e krizave. Shtuarja e forcave të KFOR-it është e rëndësisë primare”, tha Kamberi në një postim në Facebook.

Ai thotë se aktivitetet e tilla veçanërisht kur zhvillohen pranë zonave të banuara dhe përfshijnë kapacitete ajrore, ndikojnë në përceptimet e sigurisë së komuniteteve lokale në veçanti të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Duke marrë parasysh rëndësinë e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, mbetet thelbësore që të veprohet me përmbajtje dhe në përputhje me parimet e sigurisë bashkëpunuese. Në këtë drejtim, roli i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për të inkurajuar dialogun konstruktiv, transparencën dhe shmangien e veprimeve që mund të perceptohen si provokuese”, thotë ai.

Kamberi shton se duke pasur parasysh provokimet e vazhdueshme të regjimit të Vucciqit ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Luginë, NATO duhet të mendoj për rishikimin e vendimit për Zonën Tokësore të Sigurisë.

Ndërkaq, një stërvitje ushtarake e pazakontë u zhvillua gjatë orëve të mëngjesit dje, nga ushtria e Serbisë pranë vijës kufitare me Kosovën, duke shkaktuar shqetësim tek banorët e zonës në brendësi të Kosovës, raporton KosovaPress.