Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kritikuar votimin e qeverisë së re serbe.
Ai tha se sot u zgjodh një qeveri që vazhdon të mohojë realitetin rreth Kosovës.
Në Beograd, sot u zgjodh Qeveria e re. Qeveria e vazhdimësisë, siç u quajt. Në bazë të ekspozesë së kryeministres së re (vjetër) Ana Bërnabiq, prioritetet e qeverisë mbeten të njëjta. Shefi i qeverisë mbetet i njëjtë. Vazhdimësi në lojën me dy karrige, pa ide të qartë për integrimin evropian, me tendencë të refuzimit të harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së. Vazhdimësi në mohimin e realitetit rreth Kosovës dhe tendencave të prolongimit të marrëveshjes finale”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Sipas tij, kjo qeveri është vazhdimësi në ambiciet për “Botën serbe”, vazhdimësi në mohimin e përgjegjësisë për rolin e Serbisë për luftërat e përgjakshme.
“Vazhdimësi në glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe mbrojtjes së muraleve të tyre në rrugët e Beogradit. Vazhdimësi në diskriminimin e pakicave. Vazhdimësi me logjikën autoritare të presidentit “shteti jam unë””, ka shtuar ai.
Ai tha se Serbia me këtë qeveri do të vazhdojë të mbetet problem serioz në Ballkan.
“Serbia, me qeverinë e saj të vazhdimësisë, do të vazhdojë edhe më tej të mbetet problemi serioz i qetësimit të Ballkanit Perëndimor”.