Kamberi: Institucionet e Serbisë po ndërhyjnë në zgjedhjet lokale në Preshevë e Bujanoc

E publikuar: 31/05/2024 17:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Shaip Kamberi

“Kontrollone veten dhe përmbahuni nga ndërhyrja në proces zgjedhor, kjo është detyra juaj ligjore, e mos u mundoni me kontrollu elektoratin. Le të vendosin vet ata kend e përkrahin. Zgjedhjet janë në Bujanoc e Preshevë. Vranja, Surdulica e Nishi, nuk kanë çka përzihen në to”, ka shkruar Kamberi.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se institucionet shtetërore serbe janë duke ndërhyrë në zgjedhjet lokale në Preshevë dhe Bujanoc, që do të mbahen të dielën e 2 qershorit.

Kamberi në një postim në Facebook ka thënë se nga nëndegët e tyre në terren po marrin informacione shqetësuese “për ndërhyrjen e përfaqësueseve të organeve shtetërore në vullnetin e qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 2 qershorit”.

“Ftoj drejtuesit e organeve të shtetit të këshillojnë punonjësit e vet të qëndrojnë larg ‘rekomandimeve’, ‘këshillave’, ‘sugjerimeve’ se cilën listë e cilin kandidat duhet ta votojnë të dielën e 2 qershorit”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Ai u ka kërkuar institucioneve serbe që të mos i përdorin këto metoda “se nuk ju bëjnë punë” duke u thënë t’i mbajnë duart larg votës shqiptare.

“Kontrollone veten dhe përmbahuni nga ndërhyrja në proces zgjedhor, kjo është detyra juaj ligjore, e mos u mundoni me kontrollu elektoratin”, ka vijuar Kamberi.

Ai kërkoi që qytetarët e Luginës së Preshevës të lihen të lirë të vendosin vetë kënd ta përkrahin.