Një ish-oficer i CIA-s, aktualisht 78 vjeç, ka bërë deklarata tronditëse që nga dita kur u pranua në një spital të Shteteve të Bashkuara. Ai pretendon se ka kryer 37 vrasje për llogari të qeverisë amerikane mes viteve 1959-1972, përfshirë atë të aktores Marilyn Monroe.
Normand Hodges, që ka punuar për CIA-n për 41 vjet si një agjent operativ i kualifikimit të lartë, ka thënë se shpesh herë është rekrutuar si vrasës me pagesë nga organizata për të vrarë persona që mund të përbënin kërcënim për sigurinë e vendit.
I stërvitur si snajper dhe intensivisht në arte marciale, Hodges ka thënë gjithashtu se ka një eksperiencë të gjerë në dëmtimin e njerëzve edhe përmes metodave jokonvencionale, duke iu referuar helmeve dhe eksplozivëve.
Tashmë në moshë të thyer, ai ka rrëfyer se i ka kryer vrasjet mes periudhës gusht 1959-mars 1972, periudhë për të cilën ai thotë se “CIA kishte axhendën e saj”.
Gjithashtu ish-agjenti pretendon se ka qenë anëtar i një celule operative të përbërë nga 5 agjentë, e cila kryente vrasje politike në mbarë vendin raporton TCh.
Shumica e viktimave të kësaj celule ishin aktivistë politikë, gazetarë dhe krerë të sindikatave, por edhe shkencëtarë e artistë idetë e të cilëve përbënin kërcënim për Shtetet e Bashkuara.
Por Hodges thotë se Marilyn Monroe mbetet viktima e tij e veçantë, pasi është e vetmja grua që ai thotë se ka vrarë. Ish-oficeri nuk shpreh pendesë për atë që ka bërë, por shton se aktorja ishte bërë “kërcënim për sigurinë kombëtare”, ndaj dhe duhej eliminuar.
“Ne kishim prova se Marilyn Monroe jo vetëm kishte shkuar në shtrat me Kennedy-n, por edhe me Fidel Castro-n. Eprori im, Jimmy Hayworth, më tha se ajo duhet të vdiste dhe se vrasja duhet të dukej si vetëvrasje ose një mbidozë. Nuk kisha vrarë kurrë një grua më parë, por duhet t’u bindesha urdhërave. E bëra për Amerikën! Ajo mund t’i kishte kaluar informacione strategjike komunistëve dhe ne nuk mund ta lejonim këtë. Prandaj duhet të vdiste dhe unë bëra atë që duhet të bëja”, ka thënë Hodges.
78-vjeçari aktualisht ndodhet nën kontrollin e FBI-së, agjentët e të cilës e kanë marrë shumë seriozisht rrëfimin e tij dhe kanë hapur një hetim për të verifikuar deklaratat.
Por hetimi mund të jetë shumë i vështirë pasi fare pak dosje ekzistojnë mbi aktivitete të tilla dhe shumica e personave të përfshirë në këto raste kanë vdekur prej kohësh.
/ Top Channel