Policia e Fierit ka arrestuar shtetasin Denis Zaka pasi i njëjti pranoi se kishte vrarë kushëririn e tij, Vladimir Murrizi, në Greqi. Autori i vrasjes së bashku me babain e viktimës kishin bërë kallëzim në Policinë e Fierit se i kishin vrarë kushëririn në Greqi.
Në Sektorin e Hetimit të Krimeve të Rënda shtetasi Mersin Murrizi, i cili ka kallëzuar se djali i tij Vladimir Murrizi është vrarë në Greqi, solli si deshmitarë shtetasin Denis Zaka, kushëririn e parë të tij me të cilin ka qënë bashkë në Greqi.
Lidhur me këtë kallëzim u kryen veprimet procedurale si pyetja e katër personave që kanë dijeni për veprën penale, u bënë këqyrja e telefonave, tabulateve, SMS-ve dhe rrjeteve sociale me të cilët kishte komunikime.
Nga kryerja e veprimeve proceduriale lindën dyshime të bazuara se ishim para një krimi vrasje dhe se i dyshuar ishte shtetasi Denis Zaka, kushëriri i parë i tij.
Policia njofton se pas intervistimit, Zaka kishte shumë kontradikta në thënie që nuk përputheshin me tabulatet telefonike.
I vendosur para provave kontradiktore për ato që kishte deklaruar, pranoi se ai e kishte kryer vrasjen e kushëririt të tij, shtetasit Vladimir Murrizi, duke dhënë shpjegime të hollësishme për motivin, mjetin me të cilin kishte realizuar vrasjen, dhe vendin ku e kishte fshehur kufomën në Greqi.
Për këtë arsye, të hënën u bë ndalimi i shtetasit Denis Zaka, 26 vjeç, lindur në Lushnje dhe banues në Durrës.
Pas bashkëpunimit me Drejtorinë për Krimet e Rënda dhe Interpol Tirana dhe të gjitha të dhënat ju percollën menjëherë autoriteteve policore greke, të cilat shkuan në vendin e ngjarjes dhe gjetën kufomën e groposur.
/ Top Channel