Kallas në KFOR, takohet me Barduani, ja çka u bisedua

E publikuar: 23/05/2025 11:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur sot në vizitë Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, e cila shkoi në Shtabin e KFOR-it e shoqëruar nga emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

KFOR ka njoftuar se vizita e Kallasit ishte një mundësi unike për “të shkëmbyer pikëpamje – në nivelin më të lartë përfaqësues – mbi stabilitetin rajonal, bashkëpunimin NATO-BE në Ballkanin Perëndimor dhe mbi rolin strategjik të diplomacisë ndërkombëtare në rigjallërimin e Dialogut Beograd-Prishtinë”.

“Në veçanti, Gjenerali Barduani theksoi rolin parësor të koordinimit të ngushtë midis KFOR-it dhe Bashkimit Europian në zgjidhjen e çështjeve të mbetura që ende pengojnë arritjen e një mjedisi plotësisht të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.