Pak rëndësi ka nëse është duke u zhytur në ujërat e akullt të liqenit “Seliger”, apo nëse po bën stërvitje në ndonjë palestër. Vladimir Putin gjithsesi po bën “namin” në Japoni, ku kalendari më i fundit i tij po shitet tej mase dhe po lë pas edhe më të famshmit vendas.
Dyqanet, që kanë të drejtën ekskluzive të shitjes së kalendarit, kanë raportuar se ato ku shfaqet presidenti 66-vjeçar i Rusisë po dominojnë shitjet në të gjithë Japoninë. Me vetëm dy javë të mbetura nga ky vit, kalendarët e Putinit janë më popullorë sesa ato, në të cilët shfaqet aktori japonez Kei Tanaka apo Juzuru Hanyo, kampioni olimpik i patinazhit artistik.
Disa media kanë spekuluar se njerëzit po i blejnë kalendarët e Putinit, edhe si një lloj shakaje praktike, ndërsa të tjerë janë me të vërtetë të interesuar për jetën e tij jashtë Kremlinit.
Kjo nuk është hera e parë që kalendarët e Putinit rezultojnë “hit” mes konsumatorëve japonezë. Në vitin 2017, kalendarët ku shfaqej ai duke luajtur në borë me qentë e tij, përfshirë konen Akita Inu, një dhuratë nga guvernatori i prefekturës Akita në Japoninë perëndimore, u tejshitën.
Ndërsa në vitin 2016, viti i parë i kalendarëve zyrtarë që dolën në shitje në Japoni, ato me Putinin që peshkonte pa bluzë dhe praktikonte xhudon u zhdukën sërish shumë shpejt nga raftet.