Gazetari Vehbi Kajtazi ka folur për draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga BE, që sonte ka publikuar Paparaci.
Ai thotë se është hera e parë që flitet për autonomi. Problem sipas Kajtazit është se, cila do të jetë korniza e ardhshme ligjore që e përshkruan përmbajtjen e autonomisë.
“Nuk mund të konstatoj që ka përmbajtje më të gjerë. Më duken si pika që duhet të plotësohen me përmbajtje për secilën pikë veç e veç. Kur e lexon këtë, gati krejt e ka prezantu Lajçak në konferencë për shtyp. Ka lanë me nënkuptu se kjo i përmbush dëshirat e të dyja palëve, duke i përmendur vijat e kuqe. Duke thënë që nuk është republika serbe, duke thënë që i nënshtrohet Gjykatës Kushtetuese. Këtu flitet për autonomi, dhe thotë se duhet të plotësohet me kornizën e ardhshme ligjore. Problemi është, cila do të jetë korniza e ardhshme ligjore që e përshkruan përmbajtjen e autonomisë.
Duket i butë kur e lexon, komunat edhe tash merren me arsim me shëndetësi, por problemi është lidhja që bëhet mes komunave, 10 komuna me shumicë serbe, që lidhen me një strukturë që është autonomia, Asociacioni. Për herë të parë përmendet autonomia. Më duket goxha e frikshme autonomia, korniza ligjore që ka me mbështet këtë autonomi, lidhja e komunave njëra me tjetrën, struktura organizative e krejt Asociacionit”, tha ai në Rubikon.
Tutje gazetari Kajtazi thekson se, nuk do e kishte pranuar këtë draft-statut brenda shtetit të Kosovës, pasi sipas tij do të shkaktojë pengesa për të ardhmen e Kosovës.
“Unë nuk e kisha dashtë këtë draft brenda shtetit të Kosovës sepse do të shkaktojë pengesa të mëdha në të ardhmen për Kosovën. Është goxha problematike. Ky draft ku po përmendet autonomia vjen në një kohë kur ne e patëm një konflikt të armatosur, një sulm terrorist brenda territorit të Kosovës. Pas atij incidenti të rëndë, njerëzit do ta pranojnë më lehtë këtë dokument si alternativë e mosnisjes së luftes me Serbinë”, deklaroi Kajtazi.

















