Kryeparlamentari Kadri Veseli, gjatë një takimi me kreun e OEK-ut, Safet Gërxhaliun, ka thënë se zhvillimi ekonomik do të jetë prioritet i institucioneve të Kosovës.
Në këtë takim, siç njofton Zyra e Kuvendit, është biseduar për trendet ekonomike në vend, gjendjen dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjithashtu, është diskutuar për prioritetet që lidhen me agjendën legjislative, mënjanimin e barrierave ligjore që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes.
“Komuniteti i biznesit le të ushtrojë me kompetencë mandatin me qëllim të përmirësimit të klimës për të bërë biznes, ta mbrojë atë, të zhvillojë ndikim në sjelljen e ligjeve dhe krijojë mekanizma legalë për heqjen e çdo barriere që pengon apo ngulfat krijimin e vendeve të reja të punës, dhe përfundimisht, largimin e ndikimit të politikës në biznes”, ka thënë Veseli.
Ata janë pajtuar që së shpejti të zhvillohen edhe takimet tjera të përbashkëta në nivele fillimisht konsultative, e më vonë edhe të përhershme, duke evidentuar detyra afatshkurtër dhe afatgjatë të relacionit komunitet i biznesit-Kuvend i Kosovës.
Kjo, siç thuhet në komunikatë, me qëllim të bashkërendimit të aktiviteteve për të promovuar të bërit biznes në vend, tërheqjen e investitorëve dhe përmirësimin e imazhit të të bërit biznes.