Nexhmedin Spahiu
Debatet e fundit rreth rrolit të fesë, Perandorisë Osmane, Skënderbeut, etj, na kthejnë te formula themeltare e kombit shqiptar.
Kur dikush akuzohet se po sulmon themelet e kombit, atëherë duhet të dimë se cila është formula themeltare e kombit shqiptar.
Kombi shqiptar u themelua nga 4 komunitete fetare politikisht shumë të ndara në shekullin XIX (myslimanët sunitë, bektashinjtë, ortodoksët dhe katolikët). Këto komunitete i bashkonin 3 gjera: gjuha, gjaku dhe territori.
Përqindja e këtyre komuniteteve në popullsinë e gjithëmbarshme të vendit ishte e ndryshme, por formula themeltare nuk qe ajo proporcionale e madhësisë së komuniteteve, por një formulë fatlume që siguroi kohezionin kombëtar.
Kombi shqiptar është komb myslimano-kristian: 50% mysliman, 50 % kristian.
Kombi shqiptar nuk u bë as komb me bazë myslimane, as komb me bazë kristiane siç u bënë kombet tjera në Ballkan. Kombi shqiptar u ngrit si një komb myslimano-kristian. Shprehur me gjuhen e biznesit, kombi shqiptar u ngrit si një koorporatë 50:50. 50% mysliman 50% kristian. Apo më saktësisht 25:25:25:25. Pra, 25% mysliman sunit, 25% bektashi, 25% ortodoks, 25% katolik, pavarësisht se struktura e popullsisë nuk përkonte me këto proporcione.
Kjo formulë u vu në zbatim në strukturën e shtetit shqiptar në shumicën e kohës përgjatë një shekulli. Regjenca e shtetit përbëhej prej 4 vetave, ku secili komunitet kishte një përfaqësues. Regjenca e fundit ishte ajo e vitit 1943/44, ku komunitetin bektashi e përfaqësonte Mehdi Frashëri, komunitetin mysliman sunit Fuat Dibra, komunitetin ortodoks Lef Nosi dhe komunitetin katolik Patër Anton Harapi.
Edhe vetë Princi Wied, djalit të vet i dha emër mysliman (Skender) dhe vajzës së vet emër kristian (Donika). Familja mbretërore Zogu poashtu ishte gjysmë myslimane gjysmë kristiane.
Me përjashtim të kohës së komunizmit kur të pafetë sundonin vendin, funksionet kryesore të shtetit si Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit etj ndaheshin mes pjesëtarve të komuniteteve të ndryshme fetare, në mënyrë periodike me një rregull të pashkruar, por gjithnjë të zbatuar.
Shembulli i Anglisë dhe Malajzisë
Formula 25:25:25:25 nuk ishte vetëm sa i përket përfaqësimit politik, por edhe atij kulturor. Ta zëmë, anglezët që janë një komb kristian, festat kristiane i kanë ditë pushimi për të gjitha përkatësitë. Kurse festat tjera fetare i kanë pushim vetëm ata që janë deklaruar se i takojnë një feje të caktuar. P.sh. nëse jeton në Londër dhe kur je punësuar je deklaruar si kristian ti do të pushosh vetëm në festat kristiane, por nëse je deklaruar mysliman, atëherë ti do t’i kesh detyrimisht ditë pushimi krishtlindjet dhe pashkët, por ke të drejtë të mos vish në punë për Bajram dhe ditën e parë të Ramazanit.
Tek malajët që janë një komb mysliman është e kundërta. Nëse me rastin e punësimit në Kuala Lumpur je i deklaruar si mysliman, ti do të pushosh vetëm për Bajram e ditë të parë Ramazani, ndërsa nëse je deklaruar si kristian ti do të pushosh detyrimisht për Bajram e ditë të parë të Ramazanit dhe ke të drejtë që të pushosh edhe për krishtlindje dhe pashkë.
Kombi shqiptar që është komb myslimano-kristian ka pushim obligativ edhe për bajram edhe për novruz edhe për krishtlindje e pashkë ortodokse e edhe për ato katolike.
Dallimi është i qartë: në Angli, myslimanët, budistët, hindutë, sikët, taoistët, shintuistet etj., gëzojnë të drejta. Këto të drejta ua japin kristianët që përbëjnë kombin në Angli (Mbretërinë e Bashkuar). Në Malajzi, kristianët, budistët, hindutë, sikët, taoistët, shintuistet etj., gëzojnë të drejta që ua japin myslimanët që e përbëjnë kombin në Malajzi. Në Shqipëri, myslimanët e kristianët janë të barabartë, janë një komb i integruar.
Skënderbeu i bërë synet
Heronjtë kombëtarë janë të përbashkët pavarësisht se nga cili komunitet vijnë ata. Më kujtohet një rast 2 dekada më parë kur dy profesoresha në Universitetin e Tiranës, njëra katolike tjetra ortodokse, grindeshin mes vete nëse ka qenë Skënderbeu katolik apo ortodoks. Dikur ranë dakord që ta pyesin një koleg historian. E dini se cila qe përgjigja e tij? Tha: unë mund t’u garantoj vetëm faktin se Skënderbeu ka qenë i bërë synet.
Kjo është arsyeja pse Skënderbeu është krye-heroi kombëtar shqiptar. Kjo, sepse të gjithë e pandehin për të tyrin. Kjo është e tëra përse rilindasit shqiptarë u lidhën me figurën e Skëndërbeut. Rilindasve shqiptarë u interesonte fakti se dikur shqiptarët paskëshin pasur një princ që ishte edhe Gjergj edhe Skender, që paskësh qenë strateg e trim i madh e që paskësh luftuar edhe me më të fuqishmin e botës (Sulltanin), dhe injoruan fktin se luftërat e tij në fakt ishin luftëra mes shqiptarësh së krishterë dhe shqiptarësh myslimanë. Në kohën e Skëndërbeut, kryeministri i Perandorisë Osmane ishte Zaganos Pasha që ishte shqiptar dhe operacinet luftarake i drejtonte Ballaban Pasha që ishte poashtu shqiptar, me ushtrinë që përbëhej poashtu nga shqiptarët.
Serbët u lidhën me figurën e Car Dushanit, sepse përmes mitit të tij dëshironin zgjerimin e shtetit serb, dhe natyrisht që injoruan faktin se Car Dushani e ka verbuar babain e vet për t\\i marrë pushtetin. Serbëve u interesonte vetëm fakti se Perandoria e Car Dushanit shtriej deri në Selanik. Ngjashëm vepruan edhe bullgarët me figurën e Car Borisit.
Kush po i sulmon themelet e kombit shqiptar?
1. Enveristët!
Themelet e kombit shqiptar i ka sulmuar i pari Enver Hoxha kur është përpjekur që kombin shqiptar nga një komb myslimano-kristian ta shndërroj në një komb ateist. Tani edhe pse ateizmi nuk është më një projekt kombëtar, tendenca që shqiptarë të vërtetë janë vetëm ata që nuk shikojnë kisha e xhania është një mbeturinë enveriste. Pyetja a je me kombin a me fenë e që nënkupton se me kombin mund të jesh vetëm nëse je ateist, është prap mbeturinë enveriste. Kombi e feja nuk përjashtojnë njëri tjetrin. Kombi shqiptar nuk është i vetmi komb multi-religjioz (shumë-fetar) në botë. I tillë është edhe kombi gjerman, kombi hungarez etj.
2. Ekstremistët islamikë!
Themelet e kombit shqiptar pos enveristëve sulmohen edhe nga nga dy anë tjera. Në njërën anë janë ata që duke pohuar se meqë, mëse 2/3 e shqiptarëve i takojnë fesë islame, kombi shqiptar është një komb mysliman dhe se komunitetet tjera vetëm duhet të gëzojnë të drejta nga gjeneroziteti i shumicës. Kjo tezë është sulm direkt mbi formulën 50:50 apo 25:25:25:25. Këta insistojnë që përmendoret e Nënës Tereze mund të vihen veëm nëpër kisha e ambiente private por jo edhe në hapsira publike ku nuk është i koncentruar, sipas tyre, minoriteti katolik. Hapësirat publike duhet të jenë të rezervuara vetëm për figurat kombëtare, e spas tyre, kombi shqiptar është një komb mysliman.
3. Ekstremistët kristianë!
Anën tjetër e paraqesin ata që duke pohuar se kristianizmi është feja e parë e shqiptarëve tentojnë t’i vënë myslimanët shqiptarë në pozitë inferiore. Përfundimi logjik i kësaj teze është se paskëshim dy lloje shqiptarësh: shqiptarë të vërtetë që e kanë mbajtur fenë e të parëve dhe shqiptarë të dorës së dytë, shqiptarë të ligj që “nuk i rezistuan turkut dhe ndryshuan fenë”.
Sllogane të po kësaj teze janë edhe ato që përbuzin myslimanët në mënyrë paksa më të fshehur si p.sh.” shqiptarët janë evropianë nuk janë aziatikë”. Edhe pse këtu në shikim të parë nuk duket gjë djallëzore, sepse shqiptarët vërtetë janë evropianë, krijohet aluzioni i tërthortë se meqë shumica e kombeve evropiane janë kristiane atëherë edhe kombi shqiptar na u dashka të jetë komb kristian.
Sulmi i Kadaresë ndaj formulës themeltare
Këtë tezë e rrafë që sa kohë edhe Ismail Kadare. Fakti që ai mban emër e mbiemër mysliman dhe rrjedh nga një familje myslimane nuk e amniston aspak për sulmin që Kadare u bënë themeleve të kombit shqiptar.
Si shkollarë ne mund të flasim për cilësitë dhe të metat e perandorive, por ne nuk guxojmë të shprehim urrejtje as ndaj trashëgimisë së Perandorisë Romake, as ndaj trashëgimisë së Perandorisë Bizantine e as ndaj trashëgimisë së Perandorisë Osmane. Nëse shajmë trashëgiminë e Perandorisë Romake apo të Venedikut ne lëndojmë ndjenjat dhe besimin e katolikëve shqiptarë e rrjedhimisht ky është sulm mbi kombin shqiptar.
Nëse shajmë trashëgiminë e Perandorisë Bizantine ne lëndojmë ndjenjat dhe besimin e ortodoksve shqiptarë, e rrjedhimisht ky është sulm mbi kombin shqiptar.
Nëse shajmë trashëgiminë e Perandorisë Osmane ne lëndojmë ndjenjat dhe besimin e myslimanëve shqiptarë, e rredhimisht ky është sulm mbi kombin shqiptar.
Trashëgimia e Perandorisë Osmane, njësoj si dhe ajo e Perandorisë Romake, Republikës së Venedikut dhe ajo Bizantine është pjesë e identitetit kombëtar shqiptar
Është tjetër gjë lëvizja kombëtare turke me të cilën kemi pasur armiqësi nga viti 1878 deri më 1912. Kjo lëvizje në atë kohë ka qenë armiku më i madh i lëvizjes kombëtare shqiptare sikur që është ISIS sot. Por kjo armiqësi është zhdukur që në momentin që Perandoria Osmane është pozicionuar para Fuqive të Mëdha që tërhiqet nga Ballkani me kushtin që ato të formojnë një shtet shqiptar. Turqia e sotme është aleate e NATO-s njësoj sikur Shqipëria, dhe për më tepër është partnerja më e ngushtë e sajë në këtë aleancë krahas SHBA. Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë. Është kandidate për anëtarësim në BE njësoj sikur edhe Shqipëria.
Ismail Kadare atakon identitetin mysliman të kombit shqiptar, dmth sulmon formulën themeltare të kombi shqiptar. Kjo është e rrezikshme për zhvillimin normal të kombit, sepse nëse që në fëmijëri u futet ndjenja e inferioritetit 2/3 të shqiptarëve, atëherë vështirë se ata do të arrijnë gjë në jetë as si individë e as si shoqëri e komb.
Sa më shumë që Kadare dhe përkrahësit e tij e rrafin këtë tezë aq më shumë prodhojnë luftëtarë të ISIS-it, sepse armiqtë e kombit shqiptar natyrshëm ndihmojnë njëri tjetrin edhe nëse ideologjikisht nuk janë të përputhshëm apo edhe ideoligjikisht krejtësisht të kundërt. Kombi shqiptar është i fortë vetëm nëse shqiptarët i pranojnë e i respektojnë identitetet fetare, krahinore e identitetet të tjera ashtu siç janë, duke mos u përpjekur t’ia imponojnë njëri tjetrit identitetin e vet respektiv. Diversiteti është pasuri, uniformiteti është varfëri.
Të shndërrosh kombin shqiptar nga një komb multifetar në një komb monofetar siç mëton Kadare është hecje prapa. Derisa kombet perëndimore kanë tendencë të shndërrohen nga mono në multi, kombi shqiptar, i cili është multi që në themelimin e tij, pas një shekulli ekzistence sipas Kadaresë na u dashka të kthehet në mono!