Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi thotë se i vjen keq për lajmin e hidhur të ish-kolegut, Xhafer Zymberi, i cili raportohet është vrarë në Komunavë, disa ditë më parë.
Megjithatë, deputetja e partisë së Haradinajt thotë se nuk është në dijeni për përfshirjen e Zymberit në konfliktin e “Lagjes së Trimave”.
“Na vjen shumë keq edhe për lajmin e hidhur për një ish-kolegun tonë i cili po thuhet se është i vdekur edhe pse ne nuk kemi asnjë informatë zyrtare. Ai ka qenë një ndër njerëzit i cili në luftën e fundit në Kosovë bashkë me familjen e tij ka dhënë shumë për çlirimin e Kosovës”, ka shkruar Kadaj-Bujupi në Facebook.
Postimi i plotë:
Pas tendencave për spekulime me tituj nga portalet e ndryshme me qëllim që ta hutojnë opinionin për qendrimin tim zyrtar lidhur me ngjarjen e Kumanovës, po ju përcjellë transkriptin e tërë asaj që kam thënë për këtë ngjarje!
Na vjen shumë keq edhe për lajmin e hidhur për një ish-kolegun tonë i cili po thuhet se është i vdekur edhe pse ne nuk kemi asnjë informatë zyrtare. Ai ka qenë një ndër njerëzit i cili në luftën e fundit në Kosovë bashkë me familjen e tij ka dhënë shumë për çlirimin e Kosovës.
Për përfshirjen e tij në Maqedoni nuk kemi asnjë informatë dhe nuk e dimë se çfarë po ndodh atje. Gjithsesi na vjen keq për tërë dhunën që po ushtrohet, i thërrasim të gjitha palët për qetësi dhe përmbajtje.
Ndërkohë thërrasim bashkësinë ndërkombëtare që të ndërhyjë dhe që të bëhet një hetim i pavarur në mënyrë që të gjitha të bëmat atje, sidomos në raport me civilët, me fëmijët, gratë, të bëhet publike dhe të jenë të dhëna të sakta dhe të pavarura.
Kur ushtrohet dhunë ndaj civilëve, fëmijëve, qytetarëve të pafajshëm, të gjithë duhet të dalim të unifikuar dhe në mbrojtje të tyre.