Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Donika Kadaj – Bujupi, ka theksuar se është e papranueshme mbyllja e Komisionit për Stabilizim dhe Asociim, kur raportonte ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministri për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Ferat Shala.
Ajo në konferencë për media ka thënë se në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, mediat janë larguar nga Komisioni, përcjell Telegrafi.
“Ndiej obligim që edhe njëherë ta kundërshtojmë këtë mbyllje të Komisioneve, e cila mund të ndodhë në rast se kemi të bëjmë me çështje të sigurisë nacionale ose tjera të rëndësishme, e jo me çështje që lidhen me raportimin e një ministri për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Kjo qasje dhe mbyllje për media dëshmon se ky pushtet nuk dëshiron dhe nuk lejon që opinioni të njoftohet për punën dhe mospunën e ministrive përkatëse dhe për dështimin e MSA-së”, ka shtuar Kadaj-Bujupi.
Ajo ka thënë se raportimet e ministrave zakonisht po bëhen në formë të ekspozesë, duke shtuar se tentuar t’i ikin ballafaqimit më pyetje, për arsye se sipas saj, fjalët e tyre janë në kundërshtim me realitetin.
“Është e nevojshme që Komisionet të jenë të hapura, dhe që deputetët e opozitës të dëgjohen kur ngriten çështjet që e ballafaqojnë Qeverinë. Ekziston një përpjekje që të evitohet dhe të pamundësohet që qytetarët të kuptojnë të vërtetën e kësaj qeverie”, ka theksuar Kadaj – Bujupi. /Telegrafi/



















