Ergys Kaçe njeriu që me supergolin e tij në “Elbasan Arena” vetëm pak ditë më parë i dha fitoren historike Shqipërisë ndaj Francës, është përzgjedhur nga tifozët e Paok-ut si lojtari më i mirë i sezonit futbollistik 2014-2015 për skuadrën nga Selaniku.
Në një sondazh të realizuar nga faqja zyrtare e klubit grek në internet ku kanë votuar një pjesë e mirë fansave Kaçe ka arritur të grumbullojë plot 26.28% të votave duke u shpallur MVP-ja i sezonit te Paoku. Futbollisti i Kombëtares Kuqezi në këtë garë ka lënë pas emra të njohur si sulmuesit Stefanos Athanasiadis e Dimtris Salpingidis, por edhe mesfushorët Facundo Pereyra dhe Alexandros Tziolis.
Kaçe ka arritur të grumbullojë afërsisht dyfishin e votave në krahasim me ndjekësin e tij më i afërt që është Athanasiadis me vetëm 13.21% të votave e dhënë kjo që tregon qartë faktin se sa shumë e duan tifozët e Paok-ut talentin shqiptar. Mesfushori 21-vjeçar gjatë këtij sezoni zhvilloi 39 ndeshje me një total prej 3461 minutash, ndërkohë që realizoi dhe 4 gola shifra më lartë për të në karrierë. Kaçe ndihmoi të tijët edhe me 2 asiste 245 pasime të sakta, 69 topa të rikuperuar dhe 59 faulle të fituar. Athanasiadis-it nuk i mjaftoi fakti që ishte golashënuesi më i mirë i ekipit me 18 gola të realizuar gjithsej për të mposhtur në këtë garë djaloshin nga Korça.
Ekzaktësisht 10 vjet më parë, Ergys Kaçe në atë kohë vetëm 11-vjeç iu bashkua akademisë së Paok-ut, në kërkim të një të ardhmje të ndritur. Pas debutimit të tij në sezonin 2010-2011, talenti shqiptar u huazua te skuadra e kategorisë së dytë Anagennisi Epanomi ku spikati shumë me lojën e tij. Pas vetëm 1 sezoni Kaçe u rikthye sërish te Paoku i Selanikut ku në këto tre vite ka patur një rritje të jashtëzakonshme dhe me meritë ai tashmë bën të tijin edhe çmimin e futbollistit më të mirë të sezonit./ss/