Ergys Kaçe sërish titullar në një tjetër 90 minutësh europian për Viktoria Plzen. Mesfushori shqiptar udhëhoqi skuadrën çeke në transfertën e Vjenës përballë Austrisë ku ekipi i tij siguroi një pikë pas barazimit pa gola. 22-vjeçari i lindur në Korçë zhvilloi një ndeshje shumë pozitive, duke diktuar ritmin e ekipit çek që shkon në kuotën e dy pikëve në grupin E të Europa League. Sfida tjetër mes Romës dhe Astrës foli për skuadrën italiane që triumfoi 4-0 në “Olimpico” ku arriti të rikthehej te fitorja në evenimentet europiane.
Në “Old Trafford”, Manchester United hasi shumë vështirësi për të thyer ukrainasit e Zoryas dhe një gol i shënuar nga Ibrahimovic në pjesën e dytë i dhuroi suksesin e parë europian skuadrës së Jose Mou rinhos. MIjëra km më larg në Stamboll, Fenerbahçe gjeti suksesin ndaj Feynoord për t’u ngjitur në kuotën e 4 pikëve në krye të grupit A. Disfatë të rëndë regjistroi Sassuolo në transfertën e Genk. Belgët shënuan tre herë në portën e skuadrës së Di Francescos që nuk arriti të shkëlqente si në sfidën e parë kundër Athletic Bilbaos pasi zbriti në fushë kryesisht me një formacion të ri.
Në Bilbao, Athletic u mjaftua me golin e shënuar nga Benat Etxebarria për të vendosur fatin e ndeshjes. Pas sfidave të dyta, të katërta skuadrat e grupit F numërojnë nga tre pikë. Surprizën e vërtetë të mbrëmjes e dhuroi Dundvalk në Irlandë që i dha një shuplakë Maccabi Tel Aviv. Izraelitët u dorëzuan në fushën e ishullorëve modestë të cilët e kaluan me sukses 1-0 testin e dytë në grupin D, aty ku Zenit St. Peterburg shkatërroi 5-0 AZ Alkmaar. Në Francë, Saint Ettiene siguroi një pikë përballë Anderlecht pasi barazoi rezultatin në minutat e fundit. Në sfidën tjetër të grupit, Mainz u imponua 3-2 në fushën e Qabalas. Në ndeshjet e tjera, APOEL Nicosia mundi OLympiacos 1-0, ndërsa Astana dhe Young Boys u ndalën në barazim pa gola.