Kaçaniku: Qeveria e ZRrE-ja s’mund ta mbajnë dorën në xhepin e qytetarëv

E publikuar: 08/02/2022 16:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka kritikuar Qeverinë dhe ZRRE-në për shtrenjtimin e energjisë elektrike, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Kaçaniku ka thënë se janë të ngopur me politikë, teksa pret veprime më konkrete në këtë drejtim. Tutje ai thotë se kanë humbur besimin në institucione, pasi sipas tij të gjithë janë politizuar.

Kaçaniku ka thënë se subvensionimi ndaj KEK-ut për 90 milionë euro janë taksa të qytetarëve, teksa thotë se tashmë kjo po bëhet sërish me shtrenjtim të energjisë elektrike. “Unë kam reaguar në vendimin e qeverisë dhe kryeministrit që ta subvencionojë rritjen në 90 milionë euro, pra nga xhepi i jonë e tash do ta paguajmë edhe energjinë elektrike, pra edhe këto para janë tonat. Zakonisht organizata “Konsumatori” por edhe unë kemi marrë pjeës në diskutimet publike për energjinë elektrike, kësaj radhe nuk kemi marrë pjesë dhe ia kemi bërë pyetje publike kryeministrit pse, ai duhet me dit pse. Pra njëra ndër arsyet është se ne asnjë Agjencioni shtetëror nuk i besojmë sepse të gjitha me ndërmarrje publike me krejt menaxhmentet dhe bordet janë të politizuara. Ne jemi ngopur me politikë, ne duam veprim qeveritar profesional, e jo me praktikant të politikës”, ka thënë Kaçaniku.

Kaçaniku ka thënë se qeveria nuk mundet t’i konsiderojë qytetarët si “bunar” me mbajt dorën në xhepin e qytetarëve.

“Qeveri e nderuar, bëhu serioze dhe bëje strategjinë e trajtimit të integruar të emergjenteve dhe të shohim më tutje se çka do të bëjmë. Mirëmbajtja e asseteve të tilla me prioritet të lartë kombëtar siç është energjia elektrike, nuk mirëmbahet me metoda klasike. Mirëmbajtja konsiston në mënyrën e ndreqjes para prishjes të pengohet ndalja për shkak të prishjes. Nuk jem ne xhep bunari pafund ku Qeveria e ZRRE-ja e kushdo qoft mundet vazhdimisht me mbajt dorën në xhepin tonë dhe të marr aq sa ka nevojë. Jemi lodhë ne si konsumatorë duke paguar dhe nuk mundem ti mbajmë politikanët ose qeveritarët pa invencione”, ka thënë ai.

Teksa ka folur për rritjen e energjisë elektrike, Kaçaniku ka thënë se qytetarët janë “mbështetur për muri dhe na kanë dhënë të zgjedhim në mes dy opsioneve të liga”. “Ne sinqerisht po japim vota, sinqerisht po japim mundin tonë në formë të taksave, tatimeve po nuk kemi feedback të sinqertë nga qeveria. Neve na kanë mbështetur për muri dhe na kanë dhënë të zgjedhim në mes dy opsioneve të liga. Ne nuk jemi ata që bëjmë zgjedhje mes dy opsioneve të liga por neve duhet të na japin një opsion i mirë ose një tjetër më pak i keq, të bëjmë zgjidhjen atë që neve na nevojitet. Mos të harrojmë se ne si taksapagues dhe pagues të rregullt të energjisë elektrike e kemi ndërtuar, rindërtuar e kapitalizuar gjithë sistemin energjetik, mos të harrojmë se ne nuk jemi fajtorë se kësaj qeverisje dhe atyre para kësaj i ka shpëtuar së realizuari obligimi për trajtimin integral të çështjes së emergjente”, ka thënë Kaçaniku.

“Kam pritur një ngritje shumë më të lartë por vetëm në mes të propozimit të parë dhe propozimit të Qeverisë. Pra nuk është bërë as i Qeverisë e as i ZRRE-së, pra i kanë rënë në mes me 800 KWh, t’i lëmë lojërat, u ngopëm lojëra e hajde të jemi më të sinqertë”, ka thënë ai.