Ka njerëz të mirë kjo botë…

E publikuar: 04/10/2016 15:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Klienti i një restoranti të ushqimit të shpejtë tha se mbeti zemërthyer pasi një gruaje të pastrehë iu mohua një e drejtë themelore njerëzore.

Jonathan Pengelly nga Kardifi, Uells, tha se u përball me një skenar të tillë teksa ishte në një restorant McDonald’s.

“Kisha mbaruar natën jashtë dhe po prisja të merrja diçka tek McDonald’s”.

“Isha në radhë dhe përpara meje ishte një zonjë, e cila kërkoi thjesht një tas me ujë të nxehtë”.

“Stafi e refuzoi. Nuk e di se çfarë u shkoi ndërmend, por ajo zonjë, qartësisht e pastrehë, po kërkonte për diçka bazike. Që një kompani miliardere të thotë jo, duket e neveritshme”.

I prekur, ai i ofroi zonjës që t’i blinte diçka.

Ajo porositi vetëm një hamburger me djathë.

Pengelly dhe miqtë e tij i porositën aq shumë sa mund të mbante ajo me vete.

Por kur ajo po largohej, ai vendosi të bënte diçka më shumë.

“Nuk mund ta lija të shkonte këtë zonjë. Ajo ishte kaq e dashur dhe e ngrohtë”.

“Kur bisedova me të, u shokova seriozisht nga historia e jetës së saj dhe sa e edukuar ishte ajo dhe shoku i saj. Me kaq shumë jetë dhe entuziazëm dhe praktikisht nuk u ka mbetur asgjë”.

Pengelly thotë se e ftoi gruan, që quhej Polly, dhe mikun e saj në shtëpinë e tij dhe gatuan ushqim bashkë.

Këtë gjë e kanë bërë disa herë prej atëherë.

Polly dhe miku i saj bënë dush, lanë dhëmbët dhe i thanë se kurrë nuk janë ndjerë më të vlerësuar nga dikush.

Historia e djalit nga Kardifi është shpërndarë mijëra herë.

Ai shpreson se do të frymëzojë të tjerët që të bëjnë akte të vogla mirësie.