Ka ndërruar jetë gazetarja Elife Sherifi, një penë e mprehtë e gazetarisë sonë

E publikuar: 18/03/2026 20:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka ndërruar jetë gazetarja Elife Sherifi, një penë e mprehtë e gazetarisë sonë

Lajm i trishtë ka pushtuar sot komunitetin e gazetarëve dhe më gjerë. Ka ndërruar jetë, në një moshë të re, Elife Sherifi, një penë e mprehtë e gazetarisë, një profesioniste e kësaj fushe, për aq sa punoi e veproi.

Kontributi i saj në dobi të shoqërisë, përmes gazetarisë, është i pamohueshëm, duke qenë pjesë e shumë mediumeve, duke përfshirë edhe Portalin tonë. E palodhur në rrugëtimin e saj gazetareskë me vite, ajo informoi publikun për tema të ndryshme, e fusha e sportit dhe e shëndetësisë ishin fusha ku asaj i flinte zemra më së shumti andaj me shumë dashuri e dha kontributin e saj aty.

Edhe përgjatë bashkëpunimit me Portalin tonë ajo shpërfaqi në maksimumim dashurinë për gazetarinë e me këtë edhe profesionalizimin në këtë fushë, duke e informuar saktë e shpejt publikun e Rajonit të Gjilanit, për të gjitha ndodhitë në interes të publikut. Ajo u shqua dhe u vlerësua lartë edhe për raportet kolegiale, për këtë, ikja e hershme e Elifës në amshim, i ka prekur të gjithë kolegët e saj gazetarë nga Gjilani.

Të gjithë ne, kolegët e saj, i shprehim ngushëllimet më të thella familjes Sherifi dhe të afërmve të tjerë, për humbjen e më të dashurës së tyre.

Viteve të fundit, Elifja ishte angazhuar në sektorin e informimit të Klubit të Futbollit Drita, ku poashtu kreu me përpikëri angazhimet e saja në fushën e informimit. Me këtë rast edhe drejtuesit e këtij klubi e kanë marrë me pikëllim të thellë këtë lajm të trishtë dhe kanë shprehur ngushëllime.

“Elifja ishte një profesioniste e shquar në fushën e gazetarisë dhe një adhuruese e flaktë e klubit tonë, shumë kohë përpara se të merrte detyrën e zëdhënëses së klubit, pozitë të cilën e mbajti me përkushtim për më shumë se gjashtë vite. Puna, përkushtimi dhe dashuria e saj për klubin do të mbeten gjithmonë pjesë e kujtimeve tona. Klubi ynë FC Drita shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Sherifi, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën, për humbjen e madhe të vajzës së tyre. Në këto momente të vështira, qëndrojmë pranë familjes dhe ndajmë dhimbjen me ta. Prehu në paqë Elif”, thuhet në njoftimin e FC Drita.

Përndryshe, nga familjarët e tyre bëhet e ditur se lamtumira e fundit, Elife Sherifit, do t’ i jepet të enjten me kohën e drekës.

U prehtë në paqe shpirti i saj i bardhë!/2l